RMV, në janar të vitit të ardhshëm do të fillojë zbatimi i projektit “Shkolla e shekullit 21”

Këtë vjeshtë do të fillojë përgatitja e mësuesve për projektin “Shkolla e shekullit 21”, i cili pritet të nisë nga janari i vitit 2026. Siç informoi sot ministri i Transformimit Digjital, Stefan Andonovski, ata do të mësojnë mjetet e inteligjencës artificiale (IA) dhe sigurisë kibernetike në mësimdhënie, si dhe aplikimin e programimit, transmeton Portalb.mk.

Andonovski vlerësoi se inteligjenca artificiale në sektorin publik ende përdoret në mënyrë sporadike.

“Në fund të vjeshtës do të fillojmë të punojmë me mësuesit, ndërsa në fillim të janarit edhe me shkollat, fillimisht në zonat rurale. Paralelisht, sa i përket inteligjencës artificiale, po e përgatisim strategjinë kombëtare të TIK-ut. Mendoj se deri në fund të vjeshtës do të kalojë në Qeveri. Një nga shtyllat kryesore është IA, që do të thotë se do të kemi një plan veprimi të posaçëm dhe një kornizë për pranimin e saj, fillimisht në sektorin publik dhe më pas në atë privat”, theksoi Andonovski.

Sipas Entit Shtetërore të Revizionit, theksoi ministri, ka rreth dhjetë projekte që përfshijnë përdorimin e IA-së në sektorin publik.

“Nuk është diçka që është sistematike. Personalisht preferoj që mjetet e të mësuarit makinerik dhe IA të përdoren realisht në punë, sesa të përdoren vetëm për qëllime imazhi”, shtoi Andonovski.

Faza e parë pilot e projektit “Shkolla e shekullit 21” tregoi se mësuesit janë shumë të kënaqur me funksionimin e tij, dhe qasja ishte e përshtatshme edhe për nxënësit.

“Mendoj se si mësuesit ashtu edhe nxënësit janë të gatshëm, hap pas hapi, mjet pas mjeti, të arrijnë drejt përdorimit të plotë të IA-së. Por, po ecim ngadalë, hap pas hapi”, tha ministri Andonovski.