RMV, ndikimet politike dhe problemet financiare po e mbytin lirinë e mediave
Ritmi i ngadalshëm i reformave në media, ndikimet dhe presionet politike, pasiguria ekonomike dhe prania e dezinformatave, të gjitha këto po e dëmtojnë besimin e qytetarëve tek mediat. Këto gjetje dalin nga “Raporti nën hije” për lirinë e mediave në Maqedoninë e Veriut, i publikuar nga Fondacioni Metamorphosis në bashkëpunim me Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT), transmeton Portalb.mk.
Raporti, i cili sjell një pasqyrë të gjendjes së mediave në vend, u prezantua sot në Shtëpinë Evropiane, në prani të gazetarëve, ekspertëve dhe përfaqësuesve të organizatave qytetare.
“Mediet e pavarura dhe të lira janë gurthemeli i një demokracie të qëndrueshme. Ne si organizatë veprojmë si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë evropian, duke kryer hulumtime dhe duke mbështetur organizatat qytetare që luajnë rol kyç në këtë fushë. Duhet të ketë më shumë shkëmbim informacioni mes palëve të interesuara. Gjatë punës për këtë raport, pashë se sfidat janë të ngjashme edhe në vendet anëtare të BE-së, por edhe në shtetet që synojnë anëtarësimin,” u shpreh Serena Epis nga OBCT.
Duke prezantuar gjetjet, Zoran Ricliev nga Metamorphosis theksoi se pluralizmi dhe vështirësitë financiare e bëjnë sektorin mediatik të prekshëm nga presionet e jashtme.
“Ritmi i reformave është i ngadalshëm dhe shpesh varet nga zhvillimet politike. Edhe pse shteti ka ndërmarrë hapa drejt përafrimit me standardet e BE-së, presionet politike, pasiguria ekonomike dhe dezinformatat vazhdojnë të ulin besimin e publikut,” tha ai.
Ndërkohë, Goran Rizaov nga Metamorphosis foli për mungesën e qëndrueshmërisë së mediave, pagat e ulëta të gazetarëve, kontratat afatshkurtra dhe problemet strukturore.
“Këto dobësi ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë e mediave dhe në nivelin e profesionalizmit, duke hapur rrugë për përhapjen e dezinformatave edhe në mediat kryesore. Ndryshimet e fundit në Ligjin për Mediat nuk ishin gjithëpërfshirëse siç pritej. Është e nevojshme që edhe BE-ja të ushtrojë më shumë presion mbi autoritetet vendore për zbatimin e reformave,” theksoi ai.
Raporti përfshin një sërë rekomandimesh të drejtuara si ndaj institucioneve shtetërore, ashtu edhe ndaj Bashkimit Europian, duke kërkuar hapa vendimtarë për mbrojtjen e lirisë së mediave në përputhje me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.
Në kuadër të ngjarjes u zhvillua edhe paneli “A mund të përmbushin mediat e RMV-sw rolin e interesit publik?”, ku folën Snezhana Trpevska, sociologe dhe eksperte e të drejtës mediatike, si dhe Milan Spirovski nga Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM). Diskutimet u fokusuan te nevoja për gazetarë të rinj, por edhe te ndikimi i influencerëve dhe çështja e rregullimit të tyre.
Ky dokument dhe rekomandimet e tij janë përgatitur si pjesë e nismës Media Freedom Rapid Response, një mekanizëm evropian që monitoron dhe reagon ndaj shkeljeve të lirisë së shtypit dhe mediave në vendet anëtare të BE-së dhe në vendet kandidate. Raporti mbështetet edhe nga projekti “Avokim transnacional për lirinë e informimit në Ballkanin Perëndimor – ATLIB 2”, i bashkëfinancuar nga Ministria e Jashtme e Italisë. Autorët janë Serena Epis (OBCT), si dhe Zoran Ricliev dhe Goran Rizaov (Metamorphosis).