RMV, lajnë enët pa detergjent, pastrojnë dyshemetë me batanije të vjetra- në çfarë hasin autoritetet në kuzhinat e shkollave dhe kopshteve të fëmijëve?

Rroba pune të pista, thika dhe dërrasa të pista, enë të lara pa detergjent, pastrim i dyshemesë së shkollës ose kopshtit me një shkop dhe me një copë batanije. Janë këto vetëm disa nga parregullsitë që mjekët e departmentit të higjienës pranë Qendrës së Shëndetit Publik (QShP) i konstatojnë gjatë inspektimit në terren nëpër shkolla dhe kopshtet e fëmijëve. Ata thonë se ka ende objekte në të cilat higjiena e punonjësve dhe sipërfaqeve të punës është në nivel shumë të ulët, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

“Në shkollat dhe kopshtet e fëmijëve që kanë lidhur marrëveshje me QShP-në higjiena është e mirë, ndërsa në të tjerat higjiena nuk është ashtu siç duhet. Prandaj apelojmë që të lidhin marrëveshje me ne, që të mundemi rregullisht dhe shpesh të marrim strisho dhe mostra. Praktika tregon se në kopshtet e fëmijëve dhe shkollat që kanë marrëveshje higjiena është përmirësuar shumë”, thotë Prim. d-r. Ljupço Kostadinovski, udhëheqës i departamentit të higjienës pranë QShP-së për Meta.mk.

Thikat duhet të shënohen, sipërfaqja e punës – e pastër

Siç sqaron ai, për ta ulur rrezikun nga shfaqja dhe përhapja e baktereve, sipërfaqet e punës duhet të jenë të pastra, duhet të jenë të shënuara se cilat thika janë për mish të freskët, cilat për mish të pjekur, cilat thika janë për sallatë dhe cilat janë për ëmbëlsira. E gjithë kjo duhet të jetë e shënuar në një letër në muret e kuzhinës. Koshi i mbeturinave duhet të funksionojë me këmbë, ndërsa temperatura në frigorifer duhet të matet rregullisht. Shkopinjtë e pastrimit duhet të jenë të shënuar, domethënë të dihet saktësisht se cili është për pastrimin e korridorit, cili është për klasën dhe cili për dyshemenë në dhomën e ngrënies.

Prim. d-r. Ljupço Kostadinovski, udhëheqës i departamentit të higjienës në Qendrën e Shëndetit Publik

“Vendi kritik në kuzhinë janë pajisjet për ngrënie, tenxheret, ndërsa më e rëndësishmja është higjiena personale e punonjësve. Ata duhet të veshin rroba pune, të kujdesen që të mos kenë plagë në duar, të mos kenë thonj të lyer, të mos mbajnë unaza dhe byzylykë. Kuzhinat në shkolla dhe kopshte të fëmijëve duhet të jenë të pajisura me personel me arsim adekuat, pra të kenë kryer të paktën shkollën e mesme të gastronomisë. Punonjësi duhet të ketë njohuri bazë për ushqimin dhe të jetë i trajnuar për higjienën e ushqimit. Qendra e Shëndetit Publik i trajnon ata që kanë nevojë për trajnim”, sqaron d-r. Kostadinovski.

Ai bën me dije se ajo në çka ai personalisht has në terren nëpër shkolla dhe kopshte të fëmijëve janë punonjës në kuzhinë të veshur me rroba të pista, përdorimim të thikave të pista, dërrasa të pista. Ka ndodhur edhe që punonjësit t’i lajnë enët siç janë mësuar në shtëpi, edhe pse ka një rregull se si duhet të lahen enët në kuzhinë.

“Kur shkojmë për të marrë mostra ushqimore, shkojmë gjithmonë me një mjek specialist të higjienës. Unë caktoj se nga do të merret ushqimi, pra nëse do të marr supë, rrole, gjellë me patate, sanduiç të ftohtë. Më e rëndësishmja është që të gjitha kopshtet e fëmijëve dhe shkollat janë të detyruara të ruajnë një mostër nga ushqimi për 48 orë, që në rast helmimi ne të mund ta marrim dhe ta ekzaminojmë atë mostër”, shton Kostadinovksi.

Nuk ka shkollë apo kopsht fëmijësh “pa gabime”.

Nëse personat përgjegjës vënë re se higjiena në kuzhinë nuk është në nivelin e duhur, ata reagojnë dhe bëjnë vërejtje, pra nuk presin që të ndodhë helmimi dhe pastaj të reagojnë.
“Nuk ka shkollë apo kopsht fëmijësh ku kuzhinat kanë pastërti të përkryer. Gjobat për mosmbajtjen e higjienës variojnë nga 3.000 deri në 4.000 euro. Vitin e kaluar është gjobitur vetëm një kopsht fëmijësh. Megjithatë, ne kemi obligim që të veprojmë në mënyrë preventive, që të mos vijë puna deri te gjobat”, shton doktori.

Punonjësit që kanë kontakt me ushqimin janë të detyruar t’i nënshtrohen një kontrolli sanitar çdo gjashtë muaj. Në QShP u merren strisho nga fyti dhe hunda. Nëse dikush është bartës i bacilit, informohet departamenti i mikrobiologjisë, Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor (IShSSh) dhe Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Edhe AUV ka konstatuar parregullsi

Në lidhje me higjienën dhe sigurinë ushqimore në shkolla dhe kopshte të fëmijëve, Meta.mk u drejtua edhe tek Agjencia Ushqimit dhe Veterinarisë. Nga atje informuan se që nga fillimi i vitit e deri më tani, shërbimet inspektuese kanë kryer 107 inspektime në shkolla dhe kopshte të fëmijëve ku shërbehet ushqim.

“Parregullsitë kanë të bëjnë me mbajtjen e parregullt të evidencës për higjienën e mirë dhe praktikën e mirë të prodhimit, si dhe sistemin HACCP, me moskryerjen e ekzaminimeve shëndetësore të punonjësve, dëmtimet në muret dhe sipërfaqet e punës parregullsi të tjera të vogla për të cilat janë lëshuar katër urdhëresa për eliminimin e tyre dhe janë shqiptuar edhe katër masa edukative”, bëjnë të ditur nga AUV.

Në vitin 2022 janë kryer gjithsej 410 inspektime, gjatë të cilave janë konstatuar parregullsi që kanë të bëjnë me dëmtimet në muret apo sipërfaqet e punës, higjienën e dobët, ruajtjen joadekuate të produkteve të magazinuara, mungesën e librezave sanitare për punonjësit dhe moszbatimin e masave të dezinfektimit, dezinfektimit dhe deratizimit dhe janë shqiptuar gjithsej 40 urdhëresa dhe 17 masa edukative.

“Shërbimet e inspektimit e kontrollojnë sigurinë e produkteve, kushtet higjienike gjatë përgatitjes dhe servirjes së ushqimit në kopshte të fëmijëve dhe shkolla, si dhe gjendjen shëndetësore të personave që punojnë me ushqimin”, sqarojnë nga AUV.

Trajnime për punonjësit e kopshteve të fëmijëve

AUV realizon trajnime në të cilat punonjësit në kopshtet e fëmijëve fitojnë njohuri të reja në fushën e sigurisë së ushqimit në kopshte. Nga atje informojnë se qëllimi i trajnimeve është parandalimi i incidenteve si rrjedhojë e ushqimit të pasigurt në institucionet parashkollore.

“Ushqimi duhet të përgatitet sipas kritereve të sigurisë dhe cilësisë së ushqimit, të respektohen normat që kanë të bëjnë me parimet e higjienës së mirë dhe praktikës së mirë të prodhimit gjatë gjithë procesit. Është e rëndësishme që parimet e sigurisë të respektohen në të gjitha hallkat e zinxhirit ushqimor”, thotë drejtori i AUV-së, Nikollçe Babovski.

Trajnimet për rinovimin dhe përvetësimin e njohurive të reja për sigurinë ushqimore në kopshtet e fëmijëve kanë filluar vitin që shkoi. AUV informon se deri më tani janë trajnuar 351 punonjës.
“Nga ajo që ishte planifikuar për këtë vit, në mbarë vendin kanë filluar tranimet, me të cilat deri në fund të verës do të përfshihen shtatë rajone”, informon Babovski.

Përndryshe D-r. Renata Mlladenovska, drejtoreshë e IShSSh-së, informon se në vitin 2022 inspektorët kanë konstatuar një rast të helmimit nga ushqimi, ndërsa edhe në vitin 2023 ka pasur vetëm një rast helmimi.