Kasami: Nëse Qeveria nuk e fut në procedurë zëvendësimin e 20%, nuk e kemi obligim të përkrahim ndryshimet kushtetuese

Kreu i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami sot përmes një konference për shtyp ka kërkuar që Qeveria të shpall sa më parë zgjedhjet e parakohshme. Ai ka theksuar se dy partitë shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) dhe Aleanca për Shqiptarët (ASh) nuk kanë arritur të ndryshojnë 20% fyes për shqiptarët. Ai duke iu përgjigjur pyetjes së Portalb.mk nëse do kushtëzojnë votimin e ndryshimeve kushtetuese për heqjen e 20% tha se nëse Qeveria nuk e fut në procedurë të njëjtën, vlerësojnë se nuk e kanë obligim që ta përkrahin.

“Lëvizja Besa kërkon nga kjo Qeveri sa më parë të shpallë zgjedhjet e parakohshme dhe këta vazalë të Serbisë dhe Rusisë të hiqen nga kolltukët sepse me këtë RMV-ja mund të humb edhe ato pak shanse pro-evropiane. Me këtë Qeveri populli as që mund të ëndërrojë aderimin në familjen evropiane”, tha Kasami.

Në lidhje me ndryshimet kushtetuese Kasami tha se duhet të futet edhe kërkesa për zëvendësimin e 20% me gjuha shqipe.

“Qëndrimi jonë ka qenë dhe vazhdon të mbetet që me këto ndryshime kushtetuese, për të cilat kemi përkrahur prej në fillim, duhet të futet edhe zëvendësimi i 20% me gjuha shqipe. Pra qëndrimi i Lëvizjes Besa është shumë i qartë, përkrah ndryshimet kushtetuese ku patjetër duhet të jetë edhe zëvendësimi i 20% me gjuhën shqipe.”, tha Kasami.

Por i pyetur nëse do të votojnë për propozimin aktual për ndryshimet kushtetuese, Kasami deklaroi:

“Për shkak se ende nuk kemi informatë se propozimi ka shkuar në Parlament dhe çfarë propozimi ka në parlament ne e kemi thënë shumë qartë. Duke pasur parasysh faktin që edhe për ndryshimet kushtetuese Qeveria nuk ka garancinë se i ka siguruar 80 mandate që të dërgojë propozimin në Kuvend. Ne e kërkojmë të njëjtën qasje të kësaj qeverie edhe për 20%, Qeveria të dërgojë edhe propozimin tonë dhe të disa deputetëve të tjerë, në këtë rast të grupit të Zjarrit në Parlament dhe këtu ne si Lëvizje Besa garantojmë se do përkrahim ndryshimet kushtetuese. Nëse Qeveria bën inat me Lëvizjen Besa dhe nuk e fut në procedurë zëvendësimin e 20%, atëherë vlerësojmë se nuk kemi obligim që të përkrahim propozimin e Qeverisë për ndryshimet kushtetuese”.

Në lidhje me formimin e një qeverie pa pjesëmarrje të shqiptarëve në të Kasami theksoi se qeveri politike pa shqiptarët nuk mund të ketë, por se në momente të caktuara për dalje nga kriza është e pranueshme.

“Ne vlerësojmë që ashtu siç ka qenë që nga pavarësia e Maqedonisë e më tutje, nuk do të ketë qeverisje politike pa shqiptarët. Sigurisht që ka pasur momente të caktuara me qeveri teknike të cilat kanë qenë formate për të dalë nga kriza. Nëse llogaritet kjo qeverisje për shkak se e dimë se zgjedhjet e rregullta janë vitin e ardhshëm, nëse është në funksion të daljes nga kjo krizë dhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese, për ne është e pranueshme çdo format i qeverisë, por në atë moment kur do të bëhen ndryshimet kushtetuese menjëherë edhe të shpallen zgjedhjet. Pra, qeverisje politike nuk mund të ketë pa përfaqësimin e shqiptarëve në atë qeveri”, tha Kasami.

Mes tjerash, Kasami theksoi se partia e tij – Lëvizja Besa, nuk do të jetë pjesë e ndonjë qeverie para zgjedhjeve.

Gjatë takimit, të kryeministrit me kryetarin e VMRO-DPMNE-së – Hristijan Mickoskin, Kovaçevski i ka propozuar të votohen ndryshimet kushtetuese, pastaj të formohej qeveria, në të cilën nga 10 resore që aktualisht i menaxhon LSDM, 5 t’i jepeshin VMRO-së dhe kjo qeveri t’i përgatisë zgjedhjet parlamentare. Për Mickoskin kjo ishte e pranueshme, nëse BDI-ja nuk do të ishte brenda qeverisë. BDI-ja nëpërmjet një reagimi publik pranoi të dalë nga qeveria, nëse opozita i voton ndryshimet kushtetuese. Bashkimi Demokratik për Integrim pranoi që të heqë dorë edhe nga kryeministri i parë shqiptarë dhe në vend të tyre VMRO-DPMNE, të propozojë kryeministër. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në takim me gazetarët dje tha se ajo është e pranueshme, por me një kusht që kryeministri të jetë nënshkrues i ndryshimeve kushtetuese.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase. Kujtojmë që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.