Vendimet e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut nga seanca e sotme

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot ka zhvilluar seancën e 13-të, ku ndër të tjera ka vendosur për të vazhduar aktivitetet për finalizimin e përgatitjes së Agjendës reformuese 2024-2027, në kuadër të Planit të rritjes për vendet e Ballkanit Perëndimor, transmeton Portalb.mk.

“Qeveria e shqyrtoi dhe miratoi Propozimin për nisjen e procedurës për zhvillimin e negociatave për lidhjen e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qeverisë së Republikës Italiane, për bashkëpunim në fushën e luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe abuzimit të fëmijëve të cilët janë viktima të tregtisë me njerëz dhe e shqyrtoi dhe pranoi Draft-tekstin e Protokollit, të propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.”, sqaroi Qeveria.

Qeveria miratoi propozimin për realizimin e ushtrimeve me karakter ndërkombëtar në Krivollak, duke vendosur edhe për pjesëmarrjen e ushtarëve të Armatës së Maqedonisë së Veriut në stërvitjen ndërkombëtare që do të mbahen në Gjermani dhe Poloni.