Darka e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, i pranishëm edhe Zelenski: Forcim i partneritetit për stabilitet

Mbështetja dhe solidariteti me Ukrainën si dhe integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE ishin temat kryesore për të cilën u fol në darkën e sotme joformale në Athinë ku morën pjesë liderët e Ballkanit Perëndimor, kryetarja e Komisionit Evropian, kryetari i Këshillit të BE-së, ndërsa i pranishëm ishte edhe presidenti i Ukrainës, kështu bëri të ditur Qeveria e RMV-së, transmeton Portalb.mk.

Udhëheqësit shprehën mbështetje dhe solidaritet të fortë me popullin ukrainas në luftën e tyre për kthimin e lirisë.

“Në diskutimin në darkën joformale, liderët nga rajoni shkëmbyen mendime për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe u theksua se Ballkani Perëndimor është i një rëndësie strategjike për Bashkimin Evropian, i cili do të kontribuojnë në stabilitetin dhe prosperitetin jo vetëm të rajonit, por edhe të Evropës në tërësi”, informoi Qeveria e RMV-së.

Nga atje shtuan se liderët nga rajoni dërguan mesazh se, si kurrë më parë, nevojitet mbështetje e fortë politike për  integrim më të shpejtë të Ballkanit Perëndimor në BE, ndërsa në fund të darkës joformale, liderët ranë dakord për një deklaratë të përbashkët.

Darka u organizua nga kryeministri grek – Kyriaos Mitsotakis me rastin e 20 vjetorit të Samitit BE – Ballkani Perëndimor dhe Deklaratës së Selanikut.

Në darkë, përveç kryeministrit Kovaçevski, morën pjesë edhe presidentët e Këshillit Evropian – Charles Michel dhe e Komisionit Evropian – Ursula von der Leyen, presidenti i Ukrainës – Volodymyr Zelenski , presidenti serb – Aleksandar Vuçiq, presidenti malazez – Jakov Milatoviq, kryeministrja e Bosnjë e Hercegovinës – Borjana Krishto, kryeministri i Kosovës – Albin Kurti, kryeministri i Kroacisë – Andrej Plenkoviq, kryeministri i Rumanisë – Jon-Marcel Çolaku, kryeministri i Bullgarisë – Nikollaj Denkov dhe presidentja e Moldavisë – Maja Sandu.

Darka e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, i pranishëm edhe Zelenski. Foto: Qeveria e RMV-së
Darka e liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe BE-së, i pranishëm edhe Zelenski. Foto: Qeveria e RMV-së

Në këtë takim ka munguar kryeministri i Shqipërisë – Edi Rama. Ftesa nga pala greke kishte shkuar për presidentin – Bajram Begaj por i njëjti nuk ka shkuar për arsye të agjendës së tij të paracaktuar.

Përndryshe, sot në Athinë, kryeministri i vendit realizoi takim me presidenten e Komisionit Evropian ku u diskutua për ndryshimet kushtetuese të cilat janë parakusht që RMV-ja të vazhdojë rrugën për në BE.