RMV, Inspektorati i Tregut: Tregtarët mund edhe t’i rrisin marzhet për disa produkte nëse deri tani kanë qenë nën 10 përqind
Shitësit me pakicë nuk janë të detyruar të zvogëlojnë më tej marzhet bruto të fitimit të produkteve të mbuluara nga vendimi i qeverisë për kufizimin e marzhit nëse ata tashmë kanë marzh deri në 10 përqind, tha në konferencën e sotme për media drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT), Goran Trajkovski, transmeton Portalb.mk.
Disa nga tregtarët, siç thotë Trajkovski, i kanë mbajtur të njëjtat marzhe të produkteve që para vendimit të qeverisë për kufizimin e tyre në 10 përqind, sepse janë brenda kufirit, prandaj nuk ka ulje çmimi për ato produkte. Kreu i ISHT-së shton se tregtarët mund të rrisin edhe marzhet e produkteve, përderisa ato janë brenda kufirit 10 përqind, gjë që mund të çojë në rritje dhe jo ulje të çmimeve të tyre.
“Nëse p.sh., shitësi me pakicë ka shkuar me një fitim prej pesë përqind në jogurt, nuk ka asnjë detyrim ta ulë. Diku mund të kishin shkuar me një diferencë prej tre përqind. Tani kemi raste kur për të plotësuar të ardhurat e tyre ku kanë ulur marzhet nga 30 në 10 përqind, po i rrisin marzhet e produktit nga tre në 10 përqind. Unë si drejtor i ISHT-së mund të apeloj si përgjegjës shoqëror nëse kanë hapësirë t’i ulin ato çmime, por nuk kanë asnjë detyrim”, tha në konferencën e sotme për media, drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut.
Pyetjes nëse vendimi i qeverisë përfshin edhe burektoret, duke pasur parasysh se me marzhe të kufizuara duhet të jenë edhe prodhimet e furrës si bureku, simiti, gjevreku dhe petat e mbushura, Trajkovski përgjigjet pozitivisht. Burektoret, siç tha ai, përfshihen në nenin 3 të Ligjit për tregti.
“Sot ne i kontrollojmë marketet e mëdha, nga nesër fillojmë me marketet e vogla dhe burektoret, ndërsa nga pasnesër me tregtinë me shumicë. Nuk do të ketë tolerancë për askënd dhe të gjithë duhet të respektojnë vendimin. Për sa kohë të jem drejtor i ISHT-së, nuk do të ketë tolerancë për askënd. Ne do të veprojmë sipas rregullave ligjore dhe nuk do të tolerojmë asnjë aplikim të praktikave të padrejta tregtare dhe kushdo që gabon do të dënohet”, thotë Trajkovski.
Gjobat, sipas Ligjit për tregti, janë nga 2.000 deri në 10.000 euro, dhe nëse konstatohet se dikush zbaton praktika të padrejta tregtare, siç theksoi Trajkovski, do të trajtohen sipas Ligjit për konsumatorin, i cili gjithashtu parasheh mundësinë e mbylljes së objekteve tregtare. Ai shton se nga kontrollet e djeshme në terren në markete, ku ka marrë pjesë edhe vetë, ka konstatuar se një pjesë e madhe e shitësve nuk e kanë marrë seriozisht vendimin e qeverisë.
Ndryshe, tregtarët që nuk kanë vendosur etiketën “Më pak shpenzime, më shumë për ju” në produktet ushqimore bazë që duhet të kenë marzh fitimi të kufizuar, nga sot do të përballen me gjoba, njoftoi Inspektorati Shtetëror i Tregut (IShT).
Në kontrollet në terren që u kryen dje, pas hyrjes në fuqi të vendimit të qeverisë për kufizimin e marzhit, inspektorët vunë re se në markete nuk vendoseshin etiketat e nevojshme, megjithëse ky është një detyrim që thuhet edhe në vetë vendimin që u botua të hënën në “Gazetën Zyrtare”.
Mbi 70 produkte ushqimore do të shiten me marzh fitimi të kufizuar deri në 10 përqind që nga dita e djeshme, vendim ky i marrë në mbledhjen e qeverisë. Në listën e shportës së vjeshtës përfshihen produkte nga industria e bukës, mishit, qumështit dhe ëmbëlsirave, si dhe frutat dhe perimet, të cilat nuk do të lejohen të rriten deri më 31 tetor.
Kujtojmë se, Qeveria ditë më parë mori vendim që të kufizojë marzhin bruto të fitimit të disa prej produkteve ushqimore bazë në 10% si në shitje me shumicë ashtu edhe me pakicë. Lista e produkteve ushqimore bazë në të ashtuquajturën shporta e vjeshtës përfshin 73 produkte që janë më të përfaqësuara në shportën e konsumit të qytetarëve.