RMV humb mbi 2 milionë euro në vit nga honoraret e komisioneve që pacientët me aftësi të kufizuara të përhershme i kthejnë pa nevojë për vlerësim çdo 6 muaj

Shteti humb më shumë se 2 milionë euro në vit për shkak se në mënyrë të panevojshme kthehen pacientët që kanë invaliditet të përhershëm përmes komisioneve në Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, tha sot ministri i Shëndetësisë Azir Aliu. Invaliditet i përhershëm është kur personi është i palëvizshëm, pas humbjes së gjymtyrëve ose pas një goditjeje në tru, ndërsa komisionet kërkojnë që gjendja e invaliditetit të përhershëm të konfirmohet çdo 6 muaj. Për pjesëmarrje në komisione, anëtarëve u takon honorar, transmeton Portalb.mk.

Në briefingun me mediat për një vit nga marrja e kësaj detyre, Aliu tha se është formuar një grup pune mes Ministrisë së Politikës Sociale dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Pas disa takimeve, me kërkesën time që nëse duhet të ndryshojmë edhe ligjin, na informuan se ligji nuk duhet të ndryshohet në këtë fazë, sepse ligji jep mundësi për invaliditet të përhershëm, por duhet të punohet më shumë me komisionet që ato realisht të vlerësojnë ku ka invaliditet të përhershëm dhe të jepet ai status. Para dy-tre javësh u dërgova letër të gjitha komisioneve që të analizojnë pacientët që me të vërtetë kanë invaliditet të përhershëm dhe të mos kenë nevojë të paraqiten, por të kenë vendim për invaliditet të përhershëm. Sipas analizave tona fillestare, rreth 140 milionë denarë (mbi 2 milionë euro) shteti shpenzon shtesë për shkak se pacientët me invaliditet të përhershëm kthehen pa nevojë në sistemin shëndetësor, me qëllim që çdo gjashtë muaj ose një vit të marrin vendim për invaliditet, dhe kjo jo vetëm që ngarkon sistemin shëndetësor nga aspekti njerëzor, sepse ai konsiderohet pacient i ri në institucion, por edhe nga ana financiare kemi shpenzime”, tha Aliu.

Ministri tha se pas takimeve dhe analizave të grupit të punës do të dalin me një dinamikë të qartë për këto komisione, pasi kjo është vërtet një barrë si ekonomike ashtu edhe shëndetësore.

“Mendoj se do ta përmirësojmë këtë sistem. Jam i sigurt se sipas ligjit duhet të funksionojnë dhe do t’u urdhëroj të gjitha komisionet të punojnë sipas rregullave të qarta. Nëse më thonë se nuk janë të përcaktuara qartë, atëherë do të bëjmë ndryshime ligjore”, shtoi ai.

Në praktikë, rastet kur personat me invaliditet të përhershëm kërkohet të paraqiten sërish në komisione vijnë si pasojë e mënyrës administrative të vlerësimit dhe kontrollit të përfitimeve sociale dhe shëndetësore. Në disa raste, sistemi kërkon rishikim periodik të gjendjes shëndetësore, edhe kur bëhet fjalë për gjendje të pakthyeshme si humbja e gjymtyrëve, paraliza pas goditjes në tru apo invaliditeti i rëndë i përhershëm. Kjo ndodh për shkak të rregullave të përgjithshme të verifikimit, mungesës së kategorizimit të qartë për rastet “të përhershme”, si dhe për të shmangur keqpërdorimet e mundshme të sistemit. Megjithatë, kjo praktikë shpesh krijon ngarkesë të panevojshme për pacientët dhe institucionet, duke i detyruar personat që tashmë kanë diagnoza të pakthyeshme të kalojnë sërish nëpër procedura mjekësore-administrative, gjë që sjell edhe kosto shtesë dhe vonesa në sistem.