RMV, dy pacientë me fibrozë cistike morën ilaçin Trikafta, të premten do ta marrin edhe dy të tjerë

Edhe dy pacientë tjerë me fibrozë cistike, sot kanë marrë ilaçin Trikafta, ndërsa të premten edhe dy pacientë tjerë pritet të marrin ilaçin, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, shkruan Portalb.mk.

Ata shtojnë se grupi i pacientëve trajtimet do t’i marrin gradualisht ndërsa lista e pacientëve të përzgjedhur është bërë pas ekzaminimeve mjekësore të të gjithë pacientëve me fibrozë cistike, nga një Komision Ekspertësh.

Numri i pacientëve me fibrozë cistike që tashmë do të marrin ilaçin është 18, duke përfshirë edhe dy pacientët që do e marrin ilaçin të premten.

Më 15 dhjetor Mexhiti bëri të ditur se ilaçin do ta marrin vetëm 12 pacientë, ndonëse me këtë sëmundje në vend jetojnë 130 persona.

Vitin e kaluar,  të sëmurët me fibrozë cistike protestuan para Ministrisë së Shëndetësisë dhe kërkuan terapi modulare. Vetëm më 2 shkurt të vitit 2023, Qeveria njoftoi se do të prokuronte ilaçin “Trikafta” për 30 pacientë, pra se prokurimi do të bëhej në disa faza. Sasitë e para të ilaçit kanë mbërritur më 8 mars. Në pritje të ilaçeve, më 8 shkurt vdiq Bllagojçe Ilievski, i cili nuk i ka marrë ilaçet.

Kur ndodhi kjo, ish-ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali, në profilin e tij në Facebook shkroi se për blerjen e ilaçit janë siguruar 140 milionë denarë. Prindërit e fëmijëve me fibrozë cistike dhe të afërmit e tyre i bënë nderimet e Bllagojçes pas vdekjes së tij dhe protestuan para Qeverisë duke kërkuar që ilaçi të sigurohet menjëherë.

Në vend, rreth 130 persona jetojnë me fibrozë cistike. Ndërsa sëmundja përparon me kalimin e viteve, rritet edhe vdekshmëria. Ekziston një ilaç nga gjenerata e re e të ashtuquajturit terapi modulare, e cila është e shtrenjtë. Në vendin tonë jepet terapi më e vjetër që lehtëson simptomat, por nuk shëron sëmundjen.