RMV, dy kompani të mëdha farmaceutike do të dënohen me 1.7 milionë euro për shkak bashkëpunimit të paligjshëm në një tender

Gjykata e Lartë Administrative ka konfirmuar vendimin e Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës përmes së cilës konfirmohet se dy farmaci të mëdha, Dr. Panovski dhe Farma Trejd, kanë nënshkruar marrëveshje të ndaluar – një kartel gjatë një prokurimi publik të insulinës, glukagonit, gjilpërave të insulinës, shiritave matës të sheqerit në gjak dhe pompave të insulinës me materiale shpenzuese, informojnë sot nga KMK-ja, përcjell Portalb.mk.

Komisioni ka shkruar dënim prej 1.061.000 euro ndaj Dr. Panovskit dhe 721.000 euro ndaj Farma Trejdit, që është në korrelacion me dëmin e shkaktuar në buxhetin e shtetit, dhe me konfirmimin nga Gjykata Administrative dhe Gjykata e Lartë Administrative. Vendimi është përfundimtar dhe i zbatueshëm dhe kompanitë duhet ta paguajnë gjobën brenda afatit të përcaktuar me ligj.

“Prokurimi publik ishte realizuar në vitin 2016 nga Ministria e Shëndetësisë kur dy farmacitë, në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës, lidhën një marrëveshje-kartel të ndaluar me anë të së cilës ata me vetëdije dhe me qëllim të përfitimit të paligjshëm material në dëm të shtetit e zëvendësuan parimin e konkurrencës së lirë në treg me një marrëveshje të ndaluar mbi çmimet e shitjes së barnave,” thuhet në deklaratën e KMK-së.

Komisioni do të paraqesë një njoftim përkatës në lidhje me kartelin e zbuluar në Drejtorinë e Policisë Financiare dhe në Prokurorinë Publike për procedurën e mëtejshme penale.