RMV do të investojë 21 milionë euro për blerjen e lokomotivave të reja elektrike me mbështetjen e BERZH-it
Maqedonia do të investojë në transportin hekurudhor në vlerë prej 21 milionë eurosh, të destinuara për blerjen e deri në pesë lokomotivave të reja elektrike, së bashku me pjesët e nevojshme rezervë, njoftoi kryeministri Hristijan Mickoski. Ky investim do të realizohet përmes një Marrëveshjeje Huaje midis “Hekurudhat e Maqedonisë Transport” dhe BERZH-it, ndërsa i parapriu një analizë e plotë e nevojave reale, funksionalitetit dhe operueshmërisë së HM Transport – analizë që tregoi qartë se pa lokomotiva moderne dhe funksionale, hekurudha nuk mund ta përmbushë rolin e saj ekonomik, transmeton Portalb.mk.
“Deri vonë, HM Transport nuk kishte asnjë lokomotivë plotësisht funksionale. Më shumë se njëzet trena ndërkombëtarë mallrash u ndalën në Gjevgjeli, pa mundësinë e transportimit të ngarkesës në tregjet evropiane. Kjo do të thoshte humbje kontratash, humbje të të ardhurave dhe humbje të besimit. Por gjërat filluan të ndryshojnë. Pesë lokomotiva u vunë në funksion nga korriku deri në shtator 2024, dhe deri në shkurt 2025 – gjithsej dhjetë nga 46 lokomotivat ekzistuese”, tha Mickoski.
Ai shtoi se mosha mesatare e lokomotivave me dizel është mbi 60 vjet, ndërsa e lokomotivave elektrike mbi 40 vjet.
“Kjo nuk është e qëndrueshme, as ekonomikisht, as në mënyrë të sigurt, as mjedisore. Prandaj, qëllimi i këtij prokurimi është i qartë dhe i padiskutueshëm, të rritet numri i lokomotivave në dispozicion, të rritet kapaciteti për transportimin e mallrave dhe kështu të rriten të ardhurat dhe stabiliteti financiar i HM Transport. Hekurudhat duhet të bëhen përsëri nxitës i eksporteve dhe logjistikës, dhe jo një pengesë për ekonominë. Aspekti mjedisor është veçanërisht i rëndësishëm. Me fokus në lokomotivat elektrike, po shkojmë drejt emetimeve zero të ndotësve. Ky është një kontribut i drejtpërdrejtë në luftën kundër ndotjes së ajrit, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e transportit të pastër, modern dhe të qëndrueshëm”, tha Mickoski.
Ai shtoi kushtet e tranzicionit energjetik, transporti hekurudhor po bëhet një faktor kyç për një sistem efikas, konkurrues dhe të qëndrueshëm nga ana mjedisore. Investimet në lokomotiva elektrike dhe korridore moderne janë plotësisht në përputhje me politikat e qeverisë për integrimin në rrjetet evropiane të transportit.
“Paralelisht, dua t’ju informoj se kanë filluar punimet e ndërtimit në Linjën 1, me një vlerë kontrate prej 360 milionë denarësh. Ky është i ashtuquajtur tren qyteti. Projekti parashikon rindërtim dhe përmirësim të plotë të rrugës ekzistuese, që do të thotë trafik hekurudhor më i sigurt, më i shpejtë dhe më efikas. Përveç kësaj, ndërtimi i një linje me shpejtësi të lartë në Korridorin 10 është një nga prioritetet tona strategjike. Përmes Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik me Mbretërinë e Bashkuar, janë siguruar fonde për projekte kapitale, me të cilat po e vendosim hekurudhën aty ku i takon – si një lidhje kyçe midis Ballkanit dhe Evropës”, tha Mickoski.
Kujtojmë se në korrik, Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nënshkroi marrëveshje për grant me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në vlerë prej 2 milionë euro, me të cilën fillon përgatitja e fazës së dytë të Projektit Rajonal për Menaxhimin e Mbeturinave të Ngurta në Maqedoninë e Veriut.