Padi penale kundër një pronari në Shkup, e hapi restorantin edhe pse ishte mbyllur nga autoritetet
Pronari dhe menaxheri i objektit të hotelerisë “Juzhna pruga” në Shkup mori kallëzim penal nga Prokuroria Themelore Publike pasi, pavarësisht se kishte vendim për ndalimin e punës, ai e hapi restorantin e tij dhe vazhdoi të punonte. Objekti u mbyll me vendim të inspektorit të mjedisit nga Komuna e Aerodromit dhe iu vendos ndalimi për kryerjen e aktiviteteve, i cili u shfaq edhe në derën hyrëse të objektit, transmeton Portalb.mk.
Pronari e hoqi vendimin, dhe gjatë një inspektimi, inspektorët konstatuan se objekti i hotelerisë, pavarësisht ndalimit të vendosur, vazhdon të funksionojë dhe në të janë të pranishëm mysafirë.
“Duke vazhduar të kryejë aktivitete hoteliere edhe pse nuk i plotësonte kushtet për këtë, i dyshuari tregoi mungesë respekti për aktet zyrtare, duke shkelur funksionin zyrtar të aktit të nxjerrë – vendimit dhe duke penguar funksionimin normal të institucioneve shtetërore dhe publike”, tha Prokuroria Publike në një deklaratë.
Prokurori Publik kërkoi që Gjykata të përcaktojë edhe masë paraprake ndërsa procedura penale është në vazhdim, përkatësisht t’i vendosë ndalim të dyshuarit për të kryer aktivitetin e ofrimit të shërbimeve të hotelerisë dhe të zbatojë plotësisht Vendimin e shërbimeve kompetente të inspektimit.