RMV, asnjë vaksinë vitin e kaluar nuk e ka arritur përfshirjen e nevojshme prej 95%

Për asnjërën nga vaksinat e kalendarit të rregullt për vitin 2025, për dozën e parë nuk është arritur përfshirja e dëshiruar prej 95 përqind, njoftoi sot në një konferencë për media epidemiologu i Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Dragan Koçinski, transmeton Portalb.mk.

„Për hepatitin B kemi 77 përqind, për Haemophilus influenzae 78 përqind, për DTP – 79 përqind, edhe pse në vitin 2024 kishim epidemi të kësaj sëmundjeje. Për vaksinën kundër poliomielitit përfshirja është 79 përqind, ndërsa 62 përqind është për vaksinën MRP (fruthi, rubeola dhe shytat). Vaksinat me përfshirje relativisht të ulët janë ajo kundër HPV-së me 51 përqind, si dhe vaksinat kundër rotavirusit dhe pneumokokut – me 64 dhe 80 përqind. E gjithë kjo nuk mjafton për krijimin e imunitetit kolektiv në nivel kombëtar“, tha Koçinski dhe u bëri thirrje prindërve t’i vaksinojnë fëmijët e tyre.

Ai tha se qytetarët duhet t’i qasen më me përkushtim vaksinimit kundër fruthit, duke pasur parasysh se aktualisht po rritet numri i rasteve me fruth në Kosovë dhe Bullgari.

„Prandaj kemi arsye të fillojmë të alarmojmë. Nëse analizohen pesë vitet e fundit, për MRP-në kemi 81 përqind përfshirje. Përfshirjen më të lartë e kemi pasur deri në vitin 2019, kur kishim epidemi, ndaj ishin ndërmarrë masa. Aktualisht nuk ka epidemi, por duke qenë se sëmundja është e pranishme në vendet fqinje, planifikojmë aktivitete për t’i motivuar prindërit që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre“, shtoi ai.

Meta në prill të këtij viti publikoi se për herë të fundit një përfshirje mbi 90 përqind me vaksinën MRP është regjistruar në vitin 2019 (93,1 përqind), përsëri si rezultat i masave kundër epidemisë, pas së cilës është vërejtur një rënie e vazhdueshme e përfshirjes.

Në një raport të publikuar nga ISHP-ja, ndryshe nga doza e parë, rivaksinimi (doza e dytë) me vaksinën MRP, ngjashëm me vaksinat e tjera shkollore, ka shënuar rritje në vitin 2025 krahasuar me vitin 2024, ndërsa përfshirja ka arritur në 84,7 përqind (kundrejt 79,1 për qind).

Përgjegjësit në ISHP kanë theksuar në raport se përfshirja e ulët me vaksinimin e detyrueshëm, veçanërisht me vaksinën MRP, e cila vazhdon të jetë e ulët prej disa vitesh, çon në akumulimin e popullsisë së pambrojtur dhe në rritje të konsiderueshme të rrezikut për shfaqjen dhe përhapjen e epidemive të sëmundjeve të parandalueshme me vaksina, përfshirë edhe fruthin.

Fruthi është një sëmundje shumë ngjitëse e shkaktuar nga virusi, e cila përhapet lehtësisht kur një person i infektuar merr frymë, kollitet ose teshtin. Mund të shkaktojë sëmundje të rëndë, komplikime, madje edhe vdekje. Nga fruthi mund të preket çdokush, por më së shpeshti shfaqet te fëmijët. Fruthi infekton traktin respirator dhe më pas përhapet në të gjithë trupin. Simptomat e fruthit zakonisht fillojnë 10-14 ditë pas ekspozimit ndaj virusit. Skuqja është simptoma më karakteristike. Simptomat e hershme zakonisht zgjasin 4-7 ditë. Ato përfshijnë rrjedhje nga hunda, kollë, sy të skuqur dhe të përlotur (konjuktivit), si dhe njolla të vogla të bardha në pjesën e brendshme të faqeve.

Përfshirja me vaksinimin primar me 3 doza të vaksinës DTaP/IPV për vitin 2025, në nivel të gjithë shtetit, është 78,8 për qind, që gjithashtu është shumë nën mesataren e dëshiruar.

Dr. Sonja Raleva, specialiste e mjekësisë së përgjithshme nga ambulanca shkollore e poliklinikës Bit Pazar, thotë për Meta se mosvaksinimi mund të çojë në rikthimin e viruseve dhe sëmundjeve të rënda, të cilat, siç thotë ajo, nuk falin.

„Rënie ka edhe te vaksina DTaP. Me këtë nivel të përfshirjes rrezikojmë të kthehemi te sëmundjet e vjetra, veçanërisht poliomieliti, virus i cili transmetohet përmes pikave respiratore dhe shkakton dëmtime të shtyllës kurrizore dhe trurit, ndërsa mund të çojë në paaftësi të përhershme ose vdekje. I tillë është virusi, ai nuk fal. Nuk ka ilaç, por për këtë ekziston mbrojtje efikase – vaksina“, thotë Dr. Raleva.

Edhe ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, apeloi t; vaksinohen fëmijët kundër fruthit për të parandaluar një epidemi të mundshme.Sipas Klekovskit, shifrat nga Instituti i Shëndetit Publik tregojnë se përfshirja me vaksinim është relativisht e ulët – 62 përqind.

„Dua t’u bëj apel të gjithëve që t’i qasen më me përkushtim vaksinimit kundër fruthit. Këtë e them sepse aktualisht po rritet numri i rasteve me fruth në Kosovë dhe Bullgari“, tha ai duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve në konferencën e sotme për media.

Ai konsideron se kjo është arsye për të filluar alarmimin dhe paralajmëroi se gjatë ditëve dhe javëve në vijim, përmes një sërë aktivitetesh, do të përpiqen t’i motivojnë qytetarët që t’i vaksinojnë fëmijët kundër fruthit, përkatësisht të rritet përfshirja me vaksinim për të parandaluar një epidemi të mundshme.