RMV, aksion policor kundër prerjes së druve, 10 të arrestuar

Më datë 19.09. dhe 20.09.2023 në vendin e quajtur Ramno në malin e Zi të Shkupit, në aksion të përbashkët me departamente të tjera policore, janë privuar nga liria S.A.(28), R.A.(22), Xh.A.(24), E.A.(37), B.S.(39), D.A.(51), Q .A.(53), S.A.(47), Xh.S. (34), të gjithë nga fshati Brezë dhe B.M.(27) nga fshati Haraçinë, Shkup. Personat janë gjetur në vendngjarje gjatë prerjeve të paligjshme të drunjve dhe gjatë kësaj kanë gjetur rreth 400 metër kub dru zjarri të prera, transmeton Portalb.mk.

“Në vendngjarje janë gjetur katër kamionë të ngarkuar me dru zjarri, një automjet pasagjerësh, tre sharrë elektrike me motor dhe sende të tjera që përdoreshin për prerjen e druve. Automjetet, drutë dhe sendet e tjera janë marrë për procedim të mëtejshëm, ndërsa personat janë ndaluar në polici dhe me ta është bërë intervistë zyrtare”, thonë nga MPB.

Pas dokumentimit të plotë të rastit, në koordinim me prokurorin publik, ndaj personave do të ngrihet kallëzim penal nga neni 226 i Kodit Penal.