Rinia e Çairit pa hapësirë moderne: Pavarësisht premtimeve të Izet Mexhitit, Qendra Rinore ende nuk është krijuar
Pavarësisht premtimeve të kryetarit të Komunës së Çairit për ndërtimin e Qendrës Rinore moderne, punimet nuk kanë filluar ende, ndërsa komuna hesht, shkruan Portalb.mk
Në programin zgjedhor “Një Zë” 2025-2029, kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, premtoi se komuna do të investojë në infrastrukturën sportive dhe rekreative për të rinjtë.
Madje, më 4 tetor 2025 Izet Mexhiti si kandidat për kryetar komune në zgjedhjet lokale premtoi se do të hapet Qendër Rinore në Çair.
“Qendra Rinore, një hapësirë moderne për krijimtari, dije dhe inovacion, është projekt kapital, që do t’iu shërbejë të rinjve të Çairit. Qendra do të jetë më shumë se një godinë, ngase do të jetë zemra e zhvillimit rinor, ku të rinjtë tanë do të mësojnë, krijojnë dhe kontribuojnë në ndërtimin e një Çairi modern, digjital dhe përparimtar”, pati deklaruar Mexhiti.

Megjithatë, në terren nuk ka asnjë punim të filluar për këtë projekt.
Pyetëm Komunën e Çairit pse ende nuk kanë nisur punimet për ndërtimin e Qendrës Rinore, nëse fondet janë siguruar dhe cilat hapa konkretë janë ndërmarrë deri tani, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk morëm përgjigje.
“Sot jemi mbledhur këtu për inaugurimin e tabelës. Sepse objekti nuk ekziston. Këtu, sipas prezantimeve, duhej të ndërtohej Qendra Rinore në Çair. Foto 3D kemi parë. Fjalime kemi dëgjuar. Realizim? Zero. Na thanë “masterplan”. Na treguan pamje nga google. Sot e shohim se paska qene mashtrim. Mashtrim nga ata që e shkatërruan dhe e vodhën Çairin për 20 vjet. Por nuk është vetëm çështja e këtij mashtrim. Por mënyra si na trajtojnë. Mënyra si mendojnë se rinia nuk mban mend. Ata që e shkatërruan dhe e vodhën Çairin për 20 vjet mendojnë se mashtrimi kalon Çairi është lodhur nga premtimet boshe. Rini, të bëhemi bashkë t’i bëjmë shqiptarët përsëri zot në shtëpime e vet”, thuhet në reagimin e BDI, dega Çair.
Edhe me 26 janar 2026, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) reagoi se projekti për Qendër Rinore në Çair po zvarritet.