BDI alarmoi: Qendra Rinore në Çair ekziston vetëm në fjalë, por jo në dokumente zyrtare
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sot informuan se për projektin Qendër Rinore në Çair të cilin e premtoi kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, Qeveria nuk ka ndarë mjete nga Buxheti i këtij viti për projektim dhe ndërtim të këtij objekti, njofton Portalb.mk.
“Prej muajsh, Izet Mexhiti e ka prezantuar këtë projekt si një nga prioritetet kryesore për të rinjtë e Çairit. Ka folur për bibliotekë, për laborator digjital, për akademi STEM, për hapësira kreative. Janë shpërndarë fotografi dhe vizualizime sikur projekti është gati për realizim. Por politika nuk bëhet me vizatime dhe postime në Facebook. Politika bëhet me vendime dhe me para në buxhet. Dhe këtu fillon problemi. Nëse e hapim Buxhetin për vitin 2026, nuk gjejmë asnjë rresht për këtë projekt. Nuk ka mjete për projektim. Nuk ka mjete për ndërtim. Nuk ka mjete për pajisje. Nuk ka mjete për programe për të rinjtë”, thonë nga BDI-ja.
Nga kjo parti potencojnë se ky projekt ekziston vetëm në fjalë, por jo në dokumente zyrtare.
“Kjo është manipulim i pastër. Manipulimi i qytetarëve është i keq. Por manipulimi i të rinjve është edhe më i rëndë, sepse u shet atyre shpresë për diçka që nuk ekziston. Të rinjve të Çairit u është thënë se do të kenë hapësirë për dije, për teknologji, për kreativitet. Në realitet, në buxhet për ta nuk ka asnjë denar. Ne sot nuk po bëjmë politikë me hamendje, por me dokumente. Dhe dokumenti quhet: Buxheti 2026. Prandaj, pyesim publikisht: Nëse ky projekt është prioritet, pse nuk është në buxhet? Nëse është real, ku janë paratë? Dhe nëse nuk ka para, pse u është premtuar të rinjve diçka që nuk është planifikuar të realizohet?, pyesin nga partia opozitare.
Nga BDI-ja paralajmëruan se do të vazhdojnë t’i nxjerrin në dritë, siç thanë, këto manipulime, një nga një, sepse e vërteta për qytetarët është më e rëndësishme se propaganda e pushtetit.
Mexhiti më 4 tetor të vitit të kaluar si kandidat për kryetar komune në zgjedhjet lokale premtoi se do të hapet Qendër Rinore në Çair, hapësirë moderne për krijimtari, dije dhe inovacion, është projekt kapital, që do t’iu shërbejë të rinjve të kësaj komuna.