Rikonstruimi i autostradës Katllanovë-Petrovec që filloi në 2020 duhet të jetë gati deri në fund të marsit

Rehabilitimi i autostradës Katllanovë-Petrovec është në fazën përfundimtare dhe pritet të lëshohet në përdorim normal deri në fund të këtij muaji, transmeton Portalb.mk

Bëhet fjalë për një seksion 10 kilometra në mes të fshatrave Katllanovë dhe Petrovec, i cili me rehabilitimin merr një korsi tjetër, pra profil tërësisht autostrade.

Më parë ishte përfunduar pjesa e djathtë, përkatësisht drejtimi Petrovec-Katllanovë dhe ishte vënë në qarkullim me regjim të përkohshëm.

Vendin e ndërtimit e kanë vizituar sot kryeministri Talat Xhaferi, ministri i Transportit dhe Lidhjeve Bllagoj Boçvarski dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike të Rrugëve Shtetërore Ejup Rustemi.

Siç ka sqaruar kryeministri Xhaferi, sipas njoftimit të autoritetit mbikëqyrës, seksioni për rindërtimin e të cilit janë investuar 10.5 milionë euro duhet të jetë gati deri në fund të muajit.

Boçvarski gjithashtu paralajmëroi se rehabilitimi i seksionit Demir Kapi – Negotinë duhet të përfundojë këtë pranverë dhe Korridori 10 do të përmirësohet me sistem transporti inteligjent, në fazën e parë nga Velesi në Gjevgjeli dhe më pas në fazën e dytë nga kufiri në Tabanovc.

Rikonstruimi ka filluar në vitin 2020 dhe për një periudhë të gjatë të gjitha punimet ndërtimore janë ngrirë, pasi kontraktori i përzgjedhur më parë ka dështuar në realizimin.