Akti historik evropian i IA-së u miratua nga Parlamenti Evropian

Ligjvënësit evropianë votuan sot për miratimin e rregullores historike për inteligjencën artificiale (IA) në Strasburg, një dosje që kishte tërhequr vëmendjen e madhe të lobimit nga kompanitë e mëdha të teknologjisë gjatë viteve të fundit, transmeton Portalb.mk nga Euractiv.

Pas një rezultati 523 me 46 vota, me 49 abstenime, akti shkon në një rrugë të gjatë dhe komplekse zbatimi. Një zyrë e IA-së që do të udhëheqë procesin nën krahun e Komisionit ka filluar tashmë punësimin.

Akti përcakton një qasje të shkallëzuar ndaj rregullimit bazuar në atë se si konsiderohen të rrezikshme aplikimet e teknologjisë dhe përcakton afate të ndryshme për zbatimin e kërkesave të ndryshme.

Disa përdorime të IA-së, si vlerësimi social i bazuar në algoritme, do të ndalohen deri në fund të vitit 2024. Përdorime të tjera, si infrastruktura kritike, konsiderohen me rrezik të lartë dhe do të përballen me rregulla më të rrepta. Sipas afatit kohor aktual, zbatimi i plotë do të vijë në vitin 2026.

Kompanitë e teknologjisë thuhet se lobuan shumë mbi Aktin, duke përfshirë startupin francez Mistral, i cili më vonë u zbulua se kishte lidhje me Microsoft. Modelet e inteligjencës artificiale për qëllime të përgjithshme, të tilla si ChatGPT, ishin temë veçanërisht e nxehtë diskutimi, me kompanitë dhe disa qeveri që shtynin për një qasje të shkallëzuar në vend të rregullimit horizontal.

Duheshin bërë shumë kompromise, gjë që u duk edhe në konferencën e sotme për shtyp para votimit.

“Ne po rregullojmë sa më pak të jetë e mundur, por aq sa duhet”, tha Thierry Breton, komisioneri për tregun e brendshëm.

Përdorimi i identifikimit biometrik në kohë reale ishte gjithashtu pjesë kyçe e negociatave.

“Nëse ju kujtohet qëndrimi origjinal i Parlamentit Evropian për këtë temë të kamerave biometrike, ai ishte një ndalim i plotë. Por ne jemi në një proces legjislativ ku duhet të bëhen negociata”, tha Brando Benifei, anëtar italian i Parlamentit të BE-së i cili veproi si bashkë-raportues për dosjen, në një konferencë për shtyp sot (13 mars).

Në të njëjtën kohë, një Konventë e IA-në për të mbrojtur të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit po negociohet aktualisht në Strasburg në Këshillin e Evropës, organ për të drejtat e njeriut.