Revizioni zbuloi parregullsi në Lotarinë Shtetërore: Kontribute të papaguara, kontrata 15-vjeçare dhe lojëra fati pa licenca

Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar parregullsi financiare dhe ligjore në pesë shoqëri për organizimin e lojërave të fatit në internet dhe lojërave elektronike, në të cilat Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut zotëron 51 për qind të kapitalit. Për të pesë shoqëritë është dhënë opinion i pafavorshëm për raportet financiare të vitit 2024 dhe pajtueshmërinë e veprimtarisë së tyre me legjislacionin, transmeton Portalb.mk.

Sipas revizionit, parregullsitë përfshijnë mospërputhje në pagesën dhe evidentimin e kontributeve monetare, kontrata afatgjata në prokurimin e softuerëve dhe platformave të lojërave, mangësi në dokumentimin e shpenzimeve dhe dobësi në kontrollet e brendshme.

Në shoqëritë e themeluara gjatë viteve 2023 dhe 2024, për investime të përbashkëta ishte paraparë pagesa e kontributeve monetare në vlerë të përgjithshme prej 2.171.470 eurosh, në tri këste përgjatë tre vjetëve. Megjithatë, në marrëveshjet e themelimit ishte përcaktuar një shumë prej 771.470 eurosh, me afat pagese prej një viti. Revizionit nuk i janë paraqitur dëshmi të rregullta dhe të besueshme për arsyet e këtyre dallimeve.

Për më tepër, pagesa e kontributeve në tri këste gjatë tre vjetëve nuk ishte në përputhje me Ligjin për Shoqëritë Tregtare, i cili parasheh afat prej një viti për pagesën e pjesës së mbetur. Te shoqëritë LOTARIA SHTETËRORE – MOZZART dhe LOTARIA SHTETËRORE – VEZUV, pjesa e papaguar e kontributeve nuk ishte evidentuar në librat tregtarë. Në rastin e VEZUV-it, nga 2,17 milionë eurot e dakorduara, deri në kohën e revizionit ishin paguar vetëm nëntë milionë denarë, ose rreth 146 mijë euro.

Kontrata deri në 15 vjet, kryesisht me nga një ofertë

Në fushën e prokurimeve, revizioni konstatoi se për përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë që siguronin softuerë, platforma të lojërave në internet dhe shërbime teknike për terminalet VLT ishin përdorur thirrje publike dhe rregullore të brendshme, pa u zbatuar Ligji për Prokurimet Publike.

Në pjesën më të madhe të procedurave ishte paraqitur vetëm një ofertë. Pas tyre, me disa prej shoqërive ishin lidhur kontrata me afat vlefshmërie prej 15 vitesh, ndërsa me NOVO-VLT kontratë me afat prej 10 vitesh.

Parregullsi janë konstatuar edhe në shpenzimet për marketing, reklamim dhe promovim. Te LOTARIA SHTETËRORE – MOZZART, 77 BITS dhe KASINOS AUSTRIA mungonte dokumentacioni i plotë mbështetës për një pjesë të këtyre shpenzimeve, për çka revizioni nuk mundi të konfirmonte plotësisht nëse mjetet ishin shfrytëzuar për qëllimin e caktuar dhe në mënyrë racionale.

Te 77 BITS dhe NOVO-VLT janë konstatuar parregullsi edhe në marrjen me qira të hapësirave afariste, pasi kontratat me palë të interesuara ishin lidhur pa miratimin paraprak të Kuvendit të Ortakëve. Te 77 BITS, gjithashtu, ishin bërë pagesa paradhënie për qiranë para lidhjes së kontratës dhe ishin dhënë hua për shoqëri të ndërlidhura pa miratimin e nevojshëm, të cilat më pas ishin kthyer.

Tre shoqëri përballen me procedura gjyqësore

Revizioni konstatoi se shoqëritë për organizimin e lojërave të fatit në internet vepronin mbi bazën e të drejtave që buronin nga kontratat për investime të përbashkëta dhe marrëveshjet e themelimit, por nuk iu paraqit akti për lëshimin e licencës për organizimin e këtyre lojërave.

Në shtator të vitit 2024, Qeveria miratoi vendime për fillimin e procedurave për ndërprerjen e veprimtarisë së shoqërive MOZZART, 77 BITS dhe VEZUV. Në dhjetor të po atij viti, Lotaria Shtetërore paraqiti padi në Gjykatën Themelore Civile në Shkup për ndërprerjen e veprimtarisë së tyre. Procedurat gjyqësore ende janë në vijim.

MOZZART dhe 77 BITS e kanë ndërprerë organizimin e lojërave të fatit në internet përmes platformave të tyre, ndërsa VEZUV nuk e kishte filluar veprimtarinë kryesore për të cilën ishte regjistruar.

Një rast i veçantë është KASINOS AUSTRIA, për të cilën revizioni konstatoi se kishte vazhduar organizimin e lojërave të fatit në internet edhe pas skadimit të afatit kontraktual dyvjeçar, konkretisht pas 31 dhjetorit 2016, deri në tetor të vitit 2024.

Ndërkaq, NOVO-VLT, e themeluar për organizimin e lojërave elektronike të fatit, nuk e kishte filluar veprimtarinë e regjistruar. Pas ndryshimeve të statusit juridik gjatë vitit 2025, shoqëria u fshi nga Regjistri Tregtar më 18 nëntor të po atij viti.

Dobësi në ligje dhe mbikëqyrje

Përveç parregullsive në menaxhimin financiar, revizioni evidentoi mangësi në kuadrin ligjor për organizimin e lojërave të fatit në internet. Ministria kompetente nuk kishte miratuar aktet nënligjore të parapara brenda afatit ligjor prej gjashtë muajsh. Gjithashtu, nuk ishin përcaktuar formulari i kërkesës për licencë, standardet minimale teknike për pajisjet dhe softuerët, si dhe lista e personave juridikë të autorizuar për kryerjen e kontrolleve përkatëse.

Edhe për lojërat elektronike të fatit, rregullativa nuk i përcaktonte plotësisht kushtet për organizatorët, standardet teknike dhe detyrimet për kontrollimin, testimin e certifikimin e pajisjeve e sistemeve. Po ashtu, nuk ishte vendosur një sistem informativ mbikëqyrës për monitorimin e pagesave, fitimeve, qarkullimit dhe të ardhurave nga këto lojëra.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Transformimit Digjital, deri në janar të vitit 2026 ishin paraqitur kërkesa për kufizimin e qasjes në 307 faqe interneti dhe aplikacione përmes të cilave organizohen lojëra të fatit. Megjithatë, revizioni konstatoi se nga territori i Maqedonisë së Veriut vazhdonin të ishin të qasshme faqe interneti përmes të cilave organizoheshin lojëra fati pa licencë.

Revizioni evidentoi gjithashtu dobësi në kontrollet e brendshme, ndarjen e detyrave dhe përgjegjësive, evidentimin e mjeteve dhe detyrimeve financiare, si dhe trajtimin e humbjeve. Për gjendjet e konstatuara, Enti Shtetëror i Revizionit u dha rekomandime personave përgjegjës dhe organeve drejtuese të shoqërive për marrjen e masave për tejkalimin e tyre.