Revizioni ka zbuluar parregullsi në regjistrimin dhe menaxhimin e furnizimeve në Klinikën për Radioterapi në Shkup
Parregullsi në zbatimin e regjistrimit të furnizimit dhe menaxhimin e të njëjtit janë konstatuar nga Enti Shtetëror i Revizionit pas auditimit të pasqyrave financiare së bashku me auditimin e përputhshmërisë në Klinikën Universitare të Radioterapisë dhe Onkologjisë për vitin 2023, transmeton Portalb.mk.
“Mungon përputhja e vlerës së regjistrave kontabël të barnave dhe materialeve me gjendjen faktike, si dhe regjistrimi i pritjes dhe shpërndarjes së barnave nga farmacia në njësitë organizative bëhet me vonesë. Gjithashtu, nuk futen të dhëna për vlerën e barnave të pranuara përmes donacioneve, gjë që ndikon në plotësinë e të dhënave në bilanc”, thonë nga ESHR.
Gjatë vitit 2023, siç shtohet në njoftim, Klinika ka pranuar barna në vlerë prej 33 milionë denarë nga donacionet, por këto të dhëna nuk janë futur në evidencën financiare.
Në raportin e auditimit theksohet se situatat që kanë të bëjnë me pranimin, ruajtjen dhe lëshimin e stoqeve të barnave janë përcaktuar edhe në Raportin Përfundimtar të Revizionit të Auditorit të Autorizuar Shtetëror për vitin 2021, për të cilat është në proces procedurë pranë autoritetit kompetent.
Për kryerjen e aktivitetit, Klinika merr nga Fondi një kompensim të dakorduar si dhe një kompensim të kushtëzuar i cili jepet për prokurimin e të ashtuquajturës terapi biologjike.
Në raport përmendet se përkundër veprimeve të ndërmarra nga personat përgjegjës pas rekomandimeve të dhëna në Raportin Përfundimtar të Revizionit nga auditimi për vitin 2021, ka ende disa situata që janë të rëndësishme për t’u theksuar dhe që ndikojnë në funksionimin e Klinikës.
Gjatë vitit 2023, siç informohet nga ESHR, janë përgatitur dhe aplikuar disa protokolle/udhëzime për diagnostikimin, trajtimin dhe ndjekjen e pacientëve onkologjikë, të cilat përfshijnë terapi biologjike, por ende nuk janë miratuar nga Ministria e Shëndetësisë.
“Pavarësisht rritjes, rimbursimi me kusht i miratuar nuk është i mjaftueshëm për të përfshirë të gjithë pacientët që sipas indikacioneve mjekësore mund të marrin terapinë, pra fondet e miratuara janë të mjaftueshme për të përfshirë vetëm 24 përqind të pacientëve që marrin terapi në spitalin ditor”, thuhet në raport.
ESHR-ja thekson se mënyra e vendosur e kontrollit nga Fondi dhe pagesa e një të dymbëdhjetës së shumës së kompensimit të kushtëzuar ende lë hapësirë që faturat që duhet, të mos paguhen në kohë.
Gjendja e gjithsej obligimeve të Klinikës më 31.12.2023 është përafërsisht 952 milionë denarë, prej të cilave 402 milionë denarë janë të papaguara dhe maturimi i tyre është reduktuar nga 2 vjet në 6 muaj.
“Klinika është e vetmja qendër funksionale në vend që ofron shërbime për pacientët në fushën e radioterapisë. Për këtë qëllim deri në ditën e auditimit janë vendosur tre akseleratorë linearë funksionalë në hapësira përkatëse, me të cilët sipas informacioneve nga Klinika, shërbime u ofrohen mesatarisht 180 deri në 200 pacientëve në ditë”, thuhet në raport.
ESHR thekson se Klinika ka edhe dy akseleratorë linearë që nuk janë vënë në përdorim.
Për akseleratorin e blerë në vitin 2014, vlera e përgjithshme e të cilit është 2.900.000 denarë, janë duke u zhvilluar aktivitete që janë parakusht për vënien në përdorim të tij dhe pritet të funksionojë deri në fund të vitit 2024.
Akseleratori tjetër, i pranuar me donacion në vitin 2016, vlera e të cilit është 1.715 mijë denarë, mbahet i papaketuar në një depo doganore për të cilën paguhen 189 mijë denarë në vit.
Sipas informacioneve të marra nga personat përgjegjës të Klinikës, akseleratori ka qenë më herët i përdorur në një objekt shëndetësor në Australi dhe nuk është në funksion prej shumë kohësh.
Në vitin 2024, prodhuesi njoftoi se për shkak të vjetërsimit të komponentëve dhe teknologjisë, ai mund të ofronte vetëm mbështetje të kufizuar për mirëmbajtjen e tij, pa garanci për pajtueshmërinë me softuerin e ri onkologjik.
Auditorët rekomandojnë që është e nevojshme që Klinika, në koordinim me Ministrinë, të shqyrtojë situatën dhe të gjejë një zgjidhje optimale për trajtimin e kësaj pajisjeje në periudhën e ardhshme, si dhe të shqyrtojë mundësitë për vonimin e mëtejshëm të pajisjes në atë mënyrë që nuk do të shkaktojë kosto shtesë për Klinikën.
“Në kuadër të Klinikës funksionon Njësia për përgatitje qendrore të terapisë citostatike, e pajisur me licencë softuerike KATO, por sistemi nuk është në funksion që nga blerja e tij në vitin 2013, vlera e blerjes së të cilit është rreth 10 milionë denarë”, thuhet në raport.
Në vitin 2023, personat përgjegjës kanë shqyrtuar mundësitë për aktivizimin e sistemit dhe kanë informuar Ministrinë e Shëndetësisë për disa probleme kyçe.
Sipas tyre, sistemi është pjesërisht i pajisur, mungojnë komponentët kryesorë dhe hapësira nuk është e përshtatur për funksionim steril.
Gjithashtu, përgatitja e terapisë me këtë sistem zgjat më shumë, me çka do të rritet koha e pritjes për aplikimin e terapisë, Klinika nuk ka numër të mjaftueshëm të farmacistëve për të punuar me sistemin, ndërsa nevojiten mjete shtesë prej rreth 8 milionë denarë për vit për materiale harxhuese.
Gjatë vitit 2024, Ministria ka zhvilluar një procedurë të prokurimit publik, e cila synonte të prokuronte të gjitha pjesët e nevojshme për vënien në përdorim të sistemit, por ajo u anulua për shkak se nuk ishte paraqitur ofertë e pranueshme.
Në këtë drejtim, auditorët rekomandojnë që Klinika, në koordinim me Ministrinë dhe Fondin, të bëjë një analizë të plotë të kapaciteteve dhe mundësive, efekteve mjekësore dhe ekonomike, me qëllim gjetjen e zgjidhjes më optimale për të ardhmen e sistemit dhe përmirësimit të shërbimeve për pacientët.
“Krahas kushteve të deklaruara, auditorët kanë evidentuar edhe një çështje kyçe të auditimit që ndikon në ecurinë e veprimtarisë së Klinikës dhe që i referohet ofrimit të centralizuar të shërbimeve shëndetësore në fushën e radioterapisë dhe onkologjisë. Gjegjësisht, numri i pacientëve që trajtohen në klinikë është në rritje të vazhdueshme”, thuhet në raport.
Nga ESHR theksojnë se rritja e vazhdueshme e numrit të pacientëve, ndër të tjera, vjen edhe për faktin se pothuajse të gjithë pacientët që kanë nevojë për shërbime shëndetësore në fushën e radioterapisë dhe onkologjisë, kërkojnë shërbimet e Klinikës.
Klinika ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë për këtë situatë, duke thënë se janë edhe 4 institucione të tjera shëndetësore publike në nivel shtetëror, në të cilat repartet onkologjike nuk janë plotësisht funksionale dhe disa prej tyre kanë akseleratorë që nuk janë duke u përdorur.
“Në vitin 2023, Klinika ka 35 mjekë dhe 96 personel tjetër mjekësor, të cilët gjatë vitit 2023 kanë kryer gjithsej 104.196 shërbime shëndetësore. Mesatarja e shërbimeve të kryera për diagnostifikime të caktuara i kalon 5 mijë ekzaminime në vit për specialist, çka në kushtet e rritjes së vazhdueshme të numrit të pacientëve sjell mbingarkesë të punonjësve dhe numri i tyre është i pamjaftueshëm për këtë vëllim pune”, thuhet në raport.
Auditorët theksojnë se është e nevojshme që Ministria të ndërmarrë aktivitete për angazhimin e kapaciteteve në ato institucione publike shëndetësore që i kanë kushtet për të, të cilat do të mundësonin pranimin e një pjese të numrit të shtuar të pacientëve onkologjikë, veçanërisht të atyre jashtë Shkupit, dhe në këtë mënyrë shpërndarjen e shërbimeve shëndetësore në këtë fushë, duke reduktuar fluksin e madh të pacientëve me të cilët përballet Klinika dhe duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve shëndetësore.
Kujtomë se në raportin paraprak të Entit Shtetëror për Revizion(EShR), u zbulua se Ministria e Kulturës vitin e kaluar ka paguar gjithsej 318 milionë denarë, gjegjësisht mbi 5 milionë euro për projekte të ndryshme kulturore, pa kritere të përcaktuara qartë për shpërndarje, të cilat mund të ndikojnë në zgjedhjen subjektive të projekteve.