Reshje bore në disa vende, ndalim për kamionë në rrugën Strugë-Qafthanë

Për shkak të reshjeve të borës, sot në mëngjes në orën 05:15 u vendos ndalim trafiku për automjete të rënda mallrash në rrugën Strugë – vendkalimi kufitar “Qafthanë”, transmeton Portalb.mk.

LAMM njoftoi se trafiku në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, në rrugë me lagështi. Reshje bore me intensitet të ndryshueshëm janë regjistruar në Kumanovë, Stracin, Krushevë, Zheleznec, si dhe në qafat malore Strazhë, Bukovë, Gjavato dhe Presekë, por aktualisht nuk paraqesin pengesë për trafikun.

Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare në anën maqedonase, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

Nga ora 10:00 e mëngjesit në VK Niki (GP Mexhitli) do të ketë ndalim për lëvizjen e automjeteve të mallrave, i cili do të zgjasë për 48 orët e ardhshme, duke përfunduar më 10 janar në orën 10:00 të mëngjesit. Trafiku për automjetet e pasagjerëve do të vazhdojë normalisht.

NP “Rrugët e Maqedonisë” informoi mbrëmë në orën 01:00 se në rrugën magjistrale A3 Manastir – Resnjë në hyrje të qytetit të Resnjës, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe daljes së mundshme të lumit, pjesëmarrësve në trafik u këshillohet të ngasin me shumë kujdes dhe të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës. Gjithashtu, në rrugën R1307 Carev Dvor – Stenje, për shkak të reshjeve të dendura të shiut dhe daljes së mundshme të lumenjve lokalë, rekomandohet të ngasin me shumë kujdes dhe të përshtatin shpejtësinë sipas kushteve të rrugës.

Në fuqi është detyrimi ligjor për posedim të detyrueshëm të pajisjeve dimërore në automjete.

LAMM rekomandon shpejtësi të përshtatur, respektim të sinjaleve të vendosura të trafikut dhe drejtim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, luginat dhe grykat e lumenjve, ku ekziston mundësia e rrëshqitjes së dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.