Rëndësia e gjeopolitikës

Deri në fillim të viteve të 90-ta të shek. 20, termi gjeopolitikë shumë pak përdorej në materialet e zakonshme gazetareske, dhe as pak në ato akademike në hapësirën e atëhershme jugosllave dhe shqiptare. Gjeopolitika shihej si një disiplinë e ‘imperializmit’ amerikan. Mirëpo, nuk voni shumë aty kah fillimi i vitit 2000 në rajonin tonë filluan të dalin autorët e parë të materialeve gjeopolitike, që për lexuesin ishte diçka e re. Të mësuarit e gjeopolitikës në universitete paragjykohej si diçka e huaj, dhe në mungesë të ligjeruesëve dhe të praktikuesve të gjeopolitikës, një demonstrim i tillë teorik i kësaj disipline në sallat akademike nuk vinte në shprehje. Tash kah fundi i dekadës së dytë të këtij shekulli, në universitetet tona ka hyrë lënda e gjeopolitikës me ligjërues të pa njohur në fushën akademike dhe atë publike. Sidoqoftë, me rëndësi është që studentët të paisen me konceptet dhe teoritë kryesore të gjeopolitkës dhe si ato ndërveprojnë në botën reale. Pasi Maqedonia e Veriut dhe shtetet e tjera të Ballkanit synojnë BE-në, është e domosdoshme që gjeneratat e reja të studentëve dhe të politikanëve të mendojnë rreth veprimit të faktorëve politikë, kulturorë, teknologjik, ekonomik dhe ideologjik në kontekst të ekzekutimit të politikës së jashmte dhe të diplomacisë në raport me BE-në dhe shtetet tjera të rëndësishme.

Termi gjeopolitikë në botimet e jashtme nënkupton një “fushë studimi të projeksionit të pushtetit ideologjik, kulturor, ekonomik dhe ushtarak e cila ndikohet nga peisazhi gjeografik dhe politik”. Rëndësia e të kuptuarit të gjeopolitikës se si ajo funksionon në botën reale, shpeshherë është jashtë kapaciteteve tona intelektuale dhe profesionale. Pasi bota digjitale është në zhvillim dhe gjithashtu inteligjenca artificiale po zë gjithnjë e më shumë vend në përditshmërinë tonë, e vetmja mundësi për të kuptuar gjeopolitikën mbetet ndërtimi i modeleve me një seri variablash për të zbërthyer çështjet komplekse ditore dhe ato në proces. Gjeopolitika në kohën e lashtë quhej si gjeostrategji e cila më vonë gjatë shek të 18-19-të me kontributin e studiuesit suedez Rudolf Kjellen, atij anglez Alfred Mackinder, amerikanit Nikolas Spykman dhe shumë autorëve të tjerë gjermanë si Fridrich Ratzel- gjeopolitika e mori drejtimin e duhur si në teori dhe në praktikë. Bazat e gjepolitikës fillojnë me imperativat dhe kufizimet unike të shteteve në sistemin ndërkombëtar. “Imperativat përfshijnë analizën e të gjitha atributeve që prekin një vend ose rajon, zbërthimin e secilës pjesë në mënyrë që të kuptojmë më mirë implikimet e saj, më pas bashkimin e tyre dhe vizatimin e një tabloje mjaft të qartë që publiku ta kuptojnë”.

Në analizën gjeopolitike një hap i rëndësishëm është procesi i parashikimit të ngjarjeve dhe mbledhja e informacionit nga shumë burime, shpeshherë të gjuhës lokale të rajonit përkatës. Në gjeopolitikë me rëndësi është t’i përgjigjemi pyetjes çfarë dhe si do të reagojë pala kundërshtare. Kurse për lexuesit duhet nënvizuar se studimet gjeopolitike përfshinë marrëdhëniet ndërshtetërore, marrëdhëniet e Fuqive të Mëdha, institucionet ndërkombëtare, territori, siguria energjetike, burimet natyrore, rrugët tregtare etj etj. Në fund mund të themi se duke pasur parasysh thelbin e saj teorik, gjeopolitika mund të konsiderohet si një degë integrale e teorive realiste të marrëdhënieve ndërkombëtare d.m.th. një formë e veçantë e realizmit që bazohet kryesisht në ndikimin e gjeografisë, teknologjisë dhe sigurisht në të ardhmen në mënyrë të drejtpërdrejtë do të ndikohet nga burimet në hapësirë e këtu duhet theksuar operimi i satelitëve dhe ndikimi i tyre në formulimin e politikave ushtarake të shteteve. Në fund mbetet që institucionet tona të bëjnë më shumë në fushën e hulumtimeve rreth gjeopolitkës dhe të përgatiten për një rol të ri në kuadër të gjeopolitikës së BE-së në kontinentin evropian, dhe në politikën botërore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.