Reklamimi zgjedhor para Gjykatës Kushtetuese: Nesër do të diskutohen iniciativat e “Levicës” dhe “Demokratëve”

Gjykata Kushtetuese nesër do të mbajë seancën e saj të 18-të për vitin 2026, ku mes pikave të rendit të ditës do të shqyrtohen edhe nismat e partive politike Levica dhe Demokratët për vlerësimin e kushtetutshmërisë së disa dispozitave të Kodit Zgjedhor që kanë të bëjnë me reklamimin politik me pagesë, transmeton Portalb.mk.

Para Gjykatës janë kontestuar dispozita nga nenet 75-gj, 76-d dhe 78-a të Kodit Zgjedhor, të cilat rregullojnë ndarjen e hapësirës mediatike dhe mjeteve financiare për reklamimin politik.

Nga Levica vlerësojnë se rregullat aktuale krijojnë trajtim të pabarabartë mes subjekteve politike, pasi, sipas tyre, partitë më të mëdha parlamentare favorizohen në ndarjen e fondeve publike dhe hapësirës mediatike.

Partia kërkon kushte të barabarta për të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, pavarësisht nëse kanë mandate parlamentare apo janë parti jashtë parlamentit.

Kujtojmë se Enti Shtetëror për Revizion (ESHR) kërkon rishikim të metodës së shpërndarjes së fondeve për reklama politike të paguara për pjesëmarrësit në fushatat zgjedhore, si dhe harmonizimin e ligjeve që rregullojnë taksimin e aktiviteteve zgjedhore. Auditorët njoftuan gjithashtu se mbi 129 milionë denarë nga buxheti i destinuar për aktivitetet zgjedhore në vitin 2024 u ridrejtuan në kostot e reklamave politike.

Përndryshe, gati 4.8 milionë euro publike kanë përfunduar në llogaritë e mediave gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në Maqedoninë e Veriut. Partitë politike kanë vendosur vetë se sa para, cilës media do i ndajnë. Mbi 3.3 milionë euro kanë përfituar televizionet ndërsa portalet e internetit dhe gazetat kanë inkasuar rreth 377 mijë euro.