Regjistri i pedofilëve në RMV vazhdimisht bie, me raste mund t’i mësoni emrat e 361 pedofilëve

Ueb-faqja e cila shërben si regjistër i pedofilëve në Maqedoninë e Veriut vazhdimisht bie dhe nuk funksionon, me çka shpesh nuk mund të shihen personat të cilët janë të evidentuar në këtë regjistër, shkruan Portalb.mk.

Lidhur me këtë problem i cili paraqitet vazhdimisht, Portalb.mk kërkoi sqarime nga Ministria e Politikës Sociale.

Nga aty arsyetohen se që nga themelimi i tij në vitin 2012 e deri më sot, Regjistri i Posaçëm për personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale të abuzimit seksual ndaj të miturve dhe pedofili ka qenë vazhdimisht funksional.

“Mosqasshmëria e përkohshme e faqes së internetit mund të jetë pasojë e ndërprerjeve afatshkurtra të natyrës teknike, të cilat eliminohen në afatin më të shpejtë të mundshëm, me qëllim që faqja të jetë e qasshme për publikun”, thonë nga Ministria e Politikës Sociale.

Pasi kontaktuam ministrinë për mosfunksionimin e ueb-faqes, e njëjta u rikthye në funksion.

Ideja e regjistrit të pedofilëve (www.registarnapedofili.mk) është të publikohen emrat, mbiemrat, pseudonimet, fotografitë dhe adresën ku jetojnë kryerësit e veprave penale që janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për vepra penale të keqpërdorimit seksual të fëmijëve.

Qëllimi i kësaj është që qytetarët të jenë të vetëdijshëm nëse potencialisht në lagjen e tyre, shkollën ku shkojnë fëmijët e tyre, ose në familje kanë persona që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët.

Në regjistër përfshihen persona të dënuar për vepra penale seksuale ndaj të miturve, përfshirë sulmet seksuale, veprat që lidhen me pornografinë me fëmijë, prostitucionin e fëmijëve, joshjen e fëmijëve, incestin dhe trafikimin e të miturve.

Aktualisht në këtë regjistër figurojnë 361 persona.

Regjistri i pedofilëve në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet i qasshëm vetëm në gjuhën maqedonase, pa përkthim në gjuhën shqipe.

Krijimin e këtij regjistri e mundësoi Kuvendi i Maqedonisë me miratimin në vitin 2012 të ligjit të posaçëm që përcakton qartë 11 vepra penale që çojnë në përfshirje në regjistër.