Fëmijët flasin tre gjuhë, por mbrohen vetëm në një: Regjistri i pedofilëve në RMV ende pa përkthim

Regjistri i pedofilëve në Maqedoninë e Veriut vazhdon të mbetet vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa Ministria e Politikës Sociale thekson se po punohet që regjistri të jetë në tre gjuhë, shkruan Portalb.mk.

Në episodin e fundit të OpenMic Podcast në Portalb.mk u diskutua tema e pedofilisë, profesoresha e së Drejtës Penale Vedije Raktoceri, përmendi këtë regjistër si një hap të rëndësishëm në luftimin e këtij problemi, por ajo përmendi edhe ngecjet. 

“Shpesh herë bie, si duket bie serveri, mungon versioni në gjuhën shqipe, ky regjistër mirëmbahet ose duhet të përditësohet nga Ministria e Politikës Sociale, në këtë drejtim edhe informatat edhe të gjitha të dhënat që janë ata janë vetëm në gjuhën maqedonase. Megjithatë si regjistër konsideroj se është shumë i rëndësishëm si hap parandalues”, tha Ratkoceri. 

Madje ky regjistër vazhdimisht bie dhe shpesh nuk është i qasshëm as në gjuhën maqedonase. 

Nga Ministria e Politikës Sociale theksuan se duke marrë parasysh që kjo është një zgjidhje softuerike falas, dhe për këtë arsye performanca e saj është me cilësi më të ulët.

“Ne po punojmë për të gjetur një zgjidhje për ta azhurnuar dhe përmirësuar atë ose për të krijuar një faqe interneti të re me mundësinë e qasjes në të në tre gjuhët – maqedonisht, shqip dhe anglisht”, thanë nga Ministria e Politikës Sociale.

Ideja e regjistrit të pedofilëve (www.registarnapedofili.mk) është të publikohen emrat, mbiemrat, pseudonimet, fotografitë dhe adresën ku jetojnë kryerësit e veprave penale që janë dënuar me aktgjykim të plotfuqishëm për vepra penale të keqpërdorimit seksual të fëmijëve.

Qëllimi i kësaj është që qytetarët të jenë të vetëdijshëm nëse potencialisht në lagjen e tyre, shkollën ku shkojnë fëmijët e tyre, ose në familje kanë persona që mund të përbëjnë rrezik për fëmijët.

Regjistri funksionon që nga viti 2012 dhe aktualisht në këtë regjistër figurojnë 334 persona.

Episodin e plotë të OpenMic rreth pedofilisë mund ta ndiqni në vijim.