Reforma në minutën e fundit: “Grejs periudhës” po i vjen fundi, por Sali është i bindur se për një muaj do kryhen detyrimet
Maqedonia e Veriut ka siguruar 65,7 milionë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, por deklaratat e zëvendëskryeministrit për çështje evropiane, Bekim Sali, në disa çështje hapën më shumë pyetje sesa dhanë përgjigje konkrete mbi ritmin real të reformave dhe kapacitetin institucional për t’i zbatuar ato. Në konferencën për media, Sali e prezantoi shumën si rezultat të “progresit konkret” dhe të “përkushtimit institucional”, duke theksuar se 16 nga 21 hapat reformues të raportuar janë vlerësuar pozitivisht nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, gjatë pyetjeve të gazetarëve u bë e qartë se një pjesë e konsiderueshme e reformave nuk janë realizuar brenda afateve fillestare, por po mbahen gjallë falë të ashtuquajturës “grejs periudhë”, afat shtesë prej 12 muajsh i dakorduar me Komisionin Evropian, raporton Portalb.mk.
Vetë Sali pranoi se 10 nga pikat që duhej të realizoheshin deri në qershor të vitit 2025 po shtyhen deri në qershor 2026, por megjithatë konsiderohen si “zbatim i rregullt”.
Pyetjet e gazetarëve u fokusuan edhe në krahasimin me Shqipërinë, e cila deri më tani ka siguruar mbi 213 milionë euro nga i njëjti mekanizëm, ndërsa Maqedonia e Veriut vetëm 141 milionë euro. Sali shmangu një përgjigje të drejtpërdrejtë mbi ritmin më të ngadaltë të reformave në vend, duke insistuar se secili shtet ka “specifika të ndryshme” dhe pako të ndryshme reformash të dakorduara me Brukselin.
Megjithatë, ai nuk dha të dhëna konkrete se cilat reforma kanë ngecur, cilat institucione kanë vonesa dhe pse një pjesë e obligimeve po realizohen vetëm brenda periudhave shtesë.
“Disa plane dhe strategji kanë dështuar, për shkak të mungesës së përkushtimit të duhur ndaj procesit. Unë me përgjegjësi të madhe edhe politike edhe morale, e the, se kjo Qeveri dhe ky formacion qeveritar politik, me përkushtim shumë serioz dhe është e dukshme sa jemi të përkushtuar në përbushjen e këtij detyrimi, i cili është marrë nga Qeveria paraprake. Përderisa flasim për krahasimin mes shteteve, do të flasim edhe për specifikat e çdo shteti, që nël= vete ka pas bisedime me KE për të definuar pakon e pikave që duhet t’i plotësojë brenda një periudhe 4 vjeçare. Maqedonia e Veriut, edhe në aspekt demografik, por edhe në aspekt të GDP-së së përgjithshme dhe specifikat tjera shtetërore nuk është e njëjtë si Shqipëria dhe asnjë shtet nuk ka marrëveshje të njëjtë si pako e hapave të cilat duhet t’i plotësojmë. Ne kemi pikat tona dhe specifikat e institucioneve tona, të cilat duhet t’i plotësojmë deri në afat të caktuar. Dinamikën e punës e kemi përshpejtuar shumë, por edhe qasjen e metodologjisë brenda institucioneve e kemi ndryshuar dhe kjo po jep rezultate. Rezultat i dukshëm është kjo edhe sot që po e flasim dhe besoj që kjo dinamikë do të vazhdojë edhe më tej dhe Agjenda Reformuese të jetë një shtytës shumë i madh për vendin tonë që të fillojnë edhe bisedimet për anëtarësimin tonë të plotë”, tha Sali.
Po ashtu mbeti pa përgjigje të qartë edhe pyetja nëse 65,7 milionë eurot përfaqësojnë mjete të reja të fituara përmes reformave aktuale apo janë fonde të lidhura me obligime të vjetra të parealizuara. Në vend të një ndarjeje të saktë financiare, Sali foli në mënyrë të përgjithshme për “dinamikë pune” dhe koordinim institucional.
“E dini që të gjitha pikat kanë afat për zbatim dhe grejs periudhë prej 12 muajsh. Disa pika janë në afatin e rregullt, e disa në grejs periudhë. Tani psh për këtë transh, këtë grup pikash që duhet t’i zbatojmë, 10 janë në grejs periudhë që duhej të zbatoheshin deri në qershor 2025, ne i zbatojmë deri në qershor 2026, që përsëri llogaritet për zbatim të rregullt. Normalisht në grejs periudhë, që është paraparë dhe rënë dakord me KE-në. Kështu që ne ndjekim dinamikën, të mos kemi ngecje në zbatimin e këtyre hapave. Komunikimin e ndiqni besoj, çdo 10 ditë kemi takime të përbashkëta me të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces dhe si proces nuk mbetet jashtë fokusit të qeverisë”, tha Sali.
Në pjesën deklarative të konferencës, ai renditi disa masa si metodologjia e re për financimin e arsimit, pajisja e 160 shkollave me internet dhe pajisje IT, digjitalizimi dhe reforma në financat publike.
“Republika e Maqedonisë së Veriut siguroi 65,7 milionë euro në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Mekanizmit për Reforma dhe Rritje, si rezultat i reformave të realizuara dhe progresit konkret që është arritur në muajt e fundit. Në këtë cikël monitorimi janë ndjekur gjithsej 44 hapa reformues. Nga 29 hapa me afat deri në fund të vitit 2025, një pjesë e konsiderueshme tashmë janë realizuar, ndërsa institucionet vazhdojnë intensivisht punën edhe për hapat që ndodhen në grejs-period deri në qershor dhe dhjetor 2026”, tha Sali.
Sali gjithashtu konfirmoi se Qeveria kishte vendosur si objektiv që hapat reformues të përmbusheshin para Samitit të Tivatit në fillim të qershorit, por tani pranon se teknikisht afati shtrihet edhe për 25 ditë të tjera, deri në fund të qershorit dhe mesin e korrikut për dorëzimin e dokumentacionit në Komisionin Evropian.
Përndryshe, Komisioni Evropian dje miratoi këstin e ri prej 65,7 milionë eurosh për Republikën e Maqedonisë së Veriut në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe Mekanizmit për Reforma dhe Rritje. Prej tyre:
- 30,6 milionë euro do të transferohen drejtpërdrejt në buxhetin shtetëror;
- ndërsa pjesa tjetër do të shkojë për projekte zhvillimore dhe investime strategjike përmes Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor.
Përndryshe, Plani për Rritje për Ballkanin Perëndimor prej 6 miliardë eurosh u miratua nga Komisioni Evropian me 8 nëntor 2023. Ai bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave fundamentale dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat.
750 milionë euro janë të destinuara për Maqedoninë e Veriut, kurse kësti i parë është shtatë përqind, përkatësisht 52.5 milionë euro.
- LEXO: Komisioni Evropian miratoi këstin e ri prej 65,7 milionë eurosh për Maqedoninë e Veriut nga Plani i rritjes
- LEXO: Asnjë hap, 50 detyra: A do t’i arrijë Maqedonia reformat deri në qershor 2026?
- LEXO: Maqedonia e Veriut larg parave evropiane me zbatim të dobët të reformave, ka përmbushur vetëm 2 nga 5 hapat e planifikuara