Reflektime mbi paqen dhe luftën: Mësime nga konfliktet aktuale

Në kërkim të zgjidhjes së konflikteve aktuale dhe të atyre që datojnë nga shekulli i kaluar, është e domosdoshme që çështjet të shihen në kontekst historik e sidomos atyre që kanë lindur pas vitit 1989 siç është rasti i Ukrainës, Kosovës, Bosnjës, Maqedonisë së Veriut etj etj. Edhe pse si raste datojnë nga shekujt e kaluar, vendosja e një pike prej ku të gjitha palët do të hynin në bisedime është mjaft e rëndësishme për sigurinë globale e rajonale.

Vendosja e çështjeve në kontekstin historik gjithashtu tregon se lufta dhe paqja në shekullin e 21 nuk kanë ngjashmëri me luftën dhe arritjen e paqes gjatë shekullit të 20. Shtetet që minojnë paqen dhe kërkojnë hapësirë për veprim në skenën globale janë Rusia dhe Kina, që pa përjashtuar masat e ndërmarra për të ndryshuar rendin ndërkombëtar, kanë vazhduar të qëndrojnë në krye të konkurrencës me Perëndimin. Kështu shtetet si Rusia dhe Kina po vendosin rregulla të reja të paqes, dhe si do të zhvillohen në të ardhmen luftërat.

Në këtë linjë, ashtu siç deklaruan zyrtarë të lartë të NATO-s këtë javë në Bruksel, lufta apo arritja e paqes në këtë kohë është më e komplikuar, duke filluar nga format hibride dhe ato të sabotimit. Ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve anëtare të NATO-s i dhanë fund një takimi dyditor në Bruksel gjatë të cilit zyrtarët e aleancës trajtuan veprimet në rritje të Rusisë në shtetet e NATO-s.

Në takimin e tyre, aleatët shqyrtuan një sërë masash për të kundërshtuar veprimet e Rusisë kundër NATO-s dhe shteteve anëtare. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se “si Rusia ashtu edhe Kina janë përpjekur të destabilizojnë vendet tona dhe të ndajnë shoqëritë tona me akte sabotimi, sulmesh kibernetike dhe shantazhe energjetike”.

Ai theksoi se “ministrat kanë ranë dakord për një sërë masash për të kundërshtuar aktivitetet armiqësore dhe kibernetike të Rusisë, duke përfshirë shkëmbimin e zgjeruar të inteligjencës, më shumë stërvitje, mbrojtje më të mirë të infrastrukturës kritike, përmirësimin e mbrojtjes kibernetike dhe veprime më të ashpra kundër anijeve eksportuese të naftës ruse”.

Nga aktivitetet e fundit të NATO-s dhe të katërshes që përbëhet nga Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut, shihen qartë aksione që tregojnë se gjendja ndërkombëtare nuk do të jetë e qetë pavarësisht përpjekjeve për zgjidhjen e konflikteve apo të vendosjes së paqes. Nga aspekti teorik, lufta dhe paqja kanë qenë historikisht çështje e që i kanë munduar shoqëritë dhe shtetet, duke shtruar dilemën nëse mund të ketë paqe të përhershme në mes shteteve.

Që nga konfliktet e kohës antike e deri tek ato bashkëkohore, natyra dhe taktikat e luftës kanë ndryshuar, duke iu përshtatur situatave politike, fetare, ekonomike dhe sociale. Në fazat e hershme të historisë njerëzore, lufta karakterizohej nga betejat midis fiseve ose shteteve të vogla. Por, pas shpikjes së armëve më të përsosura, shpërthimi një konflikt ishte shumë më i lehtë, sesa arritja e një marrëveshje paqësore.

Paqja u bë shumë më e vështirë ashtu siç shihet nga gjendja në Ukrainë, ku me dërgimin e armëve të reja, Ukraina është në gjendje të mbajnë gjendjen ekzistuese me Rusinë. Dhe njëkohësisht, Rusia me ushtarët e Koresë së Veriut për fat të keq paqen e ka vështirësuar. Po ashtu kur lufta vazhdon me mjete të tjera, atëherë gjithnjë e më shumë mund të bindemi se ky shekull nuk do të jetë aq paqësor, pavarësisht se në disa pjesë të Evropës do të shuhen disa vatra konflikti.

Në situatën aktuale ku të gjitha palët janë të përfshira në këtë konkurrencë të madhe, paqja dhe lufta janë kushte të mundshme që rikthejnë këmbënguljen e Rusisë për të vendosur një balancë të re në Ukrainë, konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme, dhe sigurisht paqen e kushtëzuar në Ballkan.

Konkretisht, paqja dhe lufta, siç e përmendëm më lart, kanë qenë pjesë e njerëzimit që nga kohërat e lashta dhe do të vazhdojnë deri në fund të ekzistencës. Në rajonin tonë që nga përplasjet etnike dhe fetare njerëzit kanë jetuar me frikë se lufta mund të shpërthejë përsëri. Disa kanë shpresuar se një ditë do të bëhet më mirë.

Por, në historinë e gjeopolitikës, shtetet (qeveritë) janë ndodhur në situata të pakëndshme. Në disa momente kanë qenë në mes mbylljes së marrëveshjeve për të përfunduar një luftë dhe në anën tjetër pranuar humbjen. Një rikthim për të kompenzuar dështimet është bërë shqetësimi kryesorë sot, ku si shembuj mund të merren Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Në këtë kontekst, shtetet ose kombet duhet të kuptojnë domosdoshmërinë e ruajtjes së paqes dhe avancimit drejt sigurisë kolektive dhe individuale. Pasi kombet moderne të vendosura për të ecur përpara kanë gjasa më të mëdha për të fituar luftën me mjete paqësore. Megjithatë, dilema e sigurisë do të jetë një shqetësim i madh për vendet e BE-së, Ukrainën (pavarësisht fundit të luftës) dhe për shtetet e Ballkanit.

Duke qenë të shqetësuara për shtetin dhe kërcënimet e ardhshme të sigurisë, realisht qeveritë do të harxhojnë më shumë kohë në përgatitjet për luftë dhe shumë më pak për paqen. Në këtë drejtim për të vazhduar menaxhimin e konflikteve, shtetet do të kenë ende nevojë për norma, ligje, institucione dhe organizata p.sh. ushtarake, ekonomike dhe financiare.

Lufta dhe paqja do të mbesin pjesë e jetës se njeriut, shteteve dhe më shumë. Mbetet të nxirren mësime se si të mbisundojë paqja e jo konfliktet. Mbetet të vlerësohet drejtë se kush është agresor e kush jo. Kush duhet përkëdhelur si shtet e kush jo. Dhe pse konteksti historik duhet të luajë rol në proceset e negociatave për arritjen e paqes.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.