Komedia “Shërbëtori i dy partive’’ solli para publikut të Gostivarit mënyrën e jetesës dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi çdo ditë
Mbrëmë në Teatrin e Gostivarit u shfaq premiera e komedisë “Shërbëtori i dy partive’’ me autor Sasho Kokallanov dhe nën regji të Besfort Idrizit, njofton Portalb.mk.
Regjisori i shfaqjes Besfort Idrizi për Portalb.mk tha se shfaqja u mirëprit shumë mirë, pati shumë të qeshura gjatë shfaqjes si dhe duartrokitjet nuk munguan. Nga komentet pas shfaqjes dukej që njerëzit e kishin shijuar shfaqjen dhe kishin reflektuar mbi fenomenet për të cilat flitet në të.
“Në këtë shfaqje bëhet fjalë për një komedi dhe satirë, e cila flet për gjendjet politike, kryesisht lokale në Gostivar por edhe jo vetëm që shumë gjëra që ndodhin në nivel lokal nuk mbeten të jenë aq të izoluara vetëm në nivel lokal, por shfaqen apo edhe ndodhin në vende të tjera. Me një fjalë është një shfaqje e cila është komedi thumbues, komedi politike dhe që flet për shumë gjëra politike këtu tek ne”, tha Idrizi.
Se sa arritën që t}i paraqesin këto probleme nëpërmjet shfaqjes Idrizi edhe me tej shtoi:
“Besoj se ja kemi arritur, publiku e vlerësoi lartë veprën, mendoj që së pari teksti është mjaft aktual, ju referohet ngjarjeve aktuale dhe fenomeneve këtu tek ne, janë të gërshetuara të gjitha etnitë. Ajo që është e veçantë për këtë komedi, është se kjo shfaqje është ndërkulturore, shfaqje në të cilën që jo vetëm personazhet janë të të gjitha etnive që janë prezentë në shtetin tonë, por edhe flitet në më tepër gjuhë ne shfaqje, kështu që në mënyrë shumë të natyrshme flitet maqedonisht, shqip, turqisht, por ka edhe skena që janë në anglisht dhe në gjuhë tjera, por personazhet janë ashtu siç i gjejmë në përditshmërinë tonë, sidomos në Republikën e Maqedonisë së Veriut, personazhe të cilat ju takojnë të gjitha etnive, dhe varësishtë me kë flasim atë gjuhë e përdorim”.
Në shfaqje luajtën aktorët: Bereda Reşit, Kujtime Ahmeti, Vullnet Ismani, Driton Lazami, Мarko Dojoski, Arian Ejupi, Afrodita Xhaferi, Irenda Ilievska, Elizabeta K. Mlladenovska dhe Besnik Rushiti.
Ky projekt u mbështet nga Ministria e Kulturës së RMV-së.