Rrugët Shtetërore: Përmbytjet nuk do ndikojnë në përfundimin e qarkores së Tetovës
Reshjet e dendura të shiut të cilat përmbytën një pjesë të Pollogut dhe mes tjerash shkaktuan dëmtim në trasenë e qarkores së Tetovës, nuk pritet të ndikojnë në afatin e përfundimit të rrugës, këtë e thanë nga Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore për Portalb.mk.
Sipas Ndërmarrjes së Rrugëve Shtetërore, reshjet që kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit, përfshirë edhe rajonin e Tetovës, nuk pritet të shkaktojnë vonesa në projektet që kanë filluar.
“Në këtë mënyrë, nuk presim që kjo të ndikojë në ndërtimin e qarkores së Tetovës, as që të ndikojë në afatin e parashikuar të përfundimit”, thanë nga Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore.
Reshjet e dendura të shiut kanë dëmtuar një pjesë të trasesë së qarkores/rrugës Tetovë-Trebosh-Xhepçisht e cila më pas duhet të lidhet me rrugën rajonale Tetovë-Jazhincë.
Punimet për ndërtimin e qarkores së Tetovës filluan në shkurt 2024, e njëjta fillimisht ishte planifikuar të përfundonte në maj 2025, më pas u zgjat afati për në tetor 2025, por nuk përfundoi në asnjërin afat.
Nga Ndërmarrja e Rrugëve Shtetërore në nëntor 2025 për Portalb.mk thanë se afati i përfundimit është zgjatur për në maj 2026.
Qarkorja planifikohet të ndërtohet nga fshati Trebosh dhe të del në fshatin Neproshten në rrugën rajonale Tetovë – Jazhincë, e njëjta lidhet edhe me autostradën Tetovë-Shkup.