Reagime për detyrimin e zhveshjes së bluzës me shqiponjë në Manastir: Akt i turpshëm, po nxitet urrejtje ndëretnike
Lëvizja Arbëria dhe BDI dënojnë ashpër sulmin ndaj një shqiptari në Manastir për shkak të një bluze me simbolin e shqiponjës, duke e cilësuar akt të turpshëm dhe të nxitur nga urrejtja etnike. Të dyja theksojnë se ky është sulm ndaj dinjitetit kombëtar dhe dëshmi e klimës së nacionalizmit të ushqyer nga politika dhe institucionet shtetërore. Ato kërkojnë reagim të menjëhershëm nga organet e drejtësisë dhe mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në vend, transmeton Portalb.mk.
“Lëvizja Arbëria e dënon me ashpërsinë më të madhe aktin barbar të ndodhur para disa ditësh në Manastir, ku një bashkatdhetar i yni nga Dibra, me shtetësi suedeze, u sulmua vetëm pse mbante një bluzë me simbolin e shqiponjës. Ky veprim i turpshëm, i shoqëruar me dhunë fizike dhe poshtërim publik, nxjerr në pah fytyrën e vërtetë të urrejtjes etnike që ende ushqehet në disa qarqe të errëta antishqiptare. Dhuna e ushtruar dhe publikimi i fotografisë së bluzës si “trofe” nga huliganë të maskuar nuk përbën thjesht një sulm ndaj një individi, por një fyerje të rëndë ndaj dinjitetit kombëtar dhe një mesazh kërcënues për çdo shqiptar. Ne kërkojmë nga institucionet shtetërore të veprojnë menjëherë për identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve, si dhe të garantojnë të drejtat dhe sigurinë e çdo qytetari, pa dallim etnie”, thonë nga kjo lëvizje.
Ata shtojnë se simbolet kombëtare nuk janë provokim, por shenjë identiteti dhe krenarie, janë një vlerë që askush nuk ka të drejtë t’ia mohojë shqiptarëve.
“Lëvizja Arbëria qëndron fuqishëm përballë çdo forme urrejtjeje dhe dhune, duke besuar në barazi, respekt dhe bashkëjetesë të vërtetë. Sot është koha e institucioneve që të tregojnë seriozitet, sepse heshtja është bashkëfajësi. Politikanët maqedonas dhe qarqet që mbajnë gjallë frymën antishqiptare duhet ta kuptojnë një herë e mire se një Maqedoni pa shqiptarët, thjesht fshihet nga harta. E kush e injoron këtë realitet, nuk dëmton shqiptarët, por ardhmërinë e vetë shtetit”, thuhet në reagim.
BDI nga ana tjetër shton se ky akt i turpshëm dhe i rrezikshëm është dëshmi e qartë se nacionalizmi, diskriminimi dhe urrejtja po ushqehen përditë nga partitë në pushtet dhe nga vetë kreu shtetëror.
“Kur në tribuna, në prezencë të krerëve të shtetit, dëgjohen thirrje urrejtjeje dhe askush nuk mban përgjegjësi penale, kur përfaqësuesit më të lartë të pushtetit tallen duke thënë se “nuk kanë dëgjuar” ato thirrje, atëherë nuk kemi të bëjmë më me incidente të izoluara, por me një klimë të qëllimshme nxitjeje dhe relativizimi të urrejtjes. BDI paralajmëron se kjo qasje është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe vlerave mbi të cilat ndërtohet bashkëjetesa. Sulmet mbi baza etnike, diskriminimi në institucione dhe fushatat e urrejtjes nuk lindin vetvetiu, ato burojnë nga politika që e sheh kolltukun para barazisë dhe që relativizon çdo akt dhune etnike në vend që ta ndalë. U bëjmë thirrje organeve të drejtësisë të reagojnë me masa të menjëhershme dhe pa kompromis. Çdo vonesë, çdo heshtje dhe çdo justifikim do të shihet si bashkëfajësi. BDI do të mbrojë çdo qytetar, çdo simbol dhe çdo të drejtë kushtetuese, sepse shteti nuk mund të ndërtohet mbi urrejtje, por mbi barazi dhe respekt të ndërsjellë”, thonë nga BDI.
Kujtojmë se dje, Policia e Maqedonisë së Veriut tha po verifikon rastin ku një 32 vjeçar është detyruar në qytetin e Manastirit të zhvesh bluzën vetëm pse ka pasur një shqiponje të vizatuar.
“Në SPB Manastir, S.H.D. (32) nga Suedia, aktualisht me qëndrim në Dibër, ka denoncuar se në rrugën “Shirok Sokak” në Manastir, disa persona të panjohur rreth 20 vjeç iu afruan për t’i zhveshur bluzën që kishte veshur, e cila kishte të vizatuar një kokë shqiponje në pjesën e përparme dhe të pasme”, sqaroi Policia.
Në bazë të raportimit, 32 vjeçari në momentin që e kishte vlerësuar se nuk mund të mbrohet nga sulmuesit, e kishte larguar bluzën.
Kujtojmë se Portalb.mk përmes një serie shkrimesh ka argumentuar se si mosndëshkimi i gjuhës së urrejtjes ndër vite ka rritur edhe më shumë këtë fenomen në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mosreagimi adekuat i MPB, prokurorisë dhe lëndëve të pakta me aktgjykim në gjykatë, e ushqejnë edhe më shumë gjuhën e urrejtjes. Këtë e vërtetuan edhe eskspertët e komunikimit politik si dhe organizatat që merren me gjuhën e urrejtjes në analizën e Portalb.mk rreth temës në fjalë.