BDI: Qeveri që zgjedh kolltukët para barazisë dhe arsyetimet para integrimit
BDI akuzon qeverinë për mungesë vullneti politik dhe dështim në realizimin e ndryshimeve kushtetuese, duke bllokuar integrimin evropian dhe cenuar Marrëveshjen e Ohrit. Sipas saj, qeveria ka dëmtuar përfaqësimin e shqiptarëve, ka zhvlerësuar institucionet për gjuhën shqipe dhe ka hapur sulme ndaj mekanizmave kushtetues si shumica e Badenterit. BDI paralajmëron se shqiptarët nuk do të lejojnë kthimin e padrejtësisë dhe diskriminimit, transmeton Portalb.mk.
“Deklaratat e fundit të përfaqësuesve qeveritarë se “nuk mjafton një vit për ndryshimet kushtetuese” janë dëshmi e mungesës së vullnetit politik dhe e dështimit të kësaj qeverie për ta çuar vendin drejt integrimit evropian dhe për të respektuar vetë Marrëveshjen e Ohrit. Prej ditës së parë të mandatit, përveç bllokimit të perspektivës evropiane, kjo qeveri dhe partnerët e saj kanë sulmuar themelet e barazisë dhe të Marrëveshjes së Ohrit:
• kanë shfuqizuar balancuesin, duke cenuar përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve dhe komuniteteve tjera;
• kanë zhvlerësuar Marrëveshjen e Ohrit duke ia dorëzuar implementimin figurave me bindje antishqiptare dhe antiperëndimore, si Ivan Stoillkoviç;
• kanë fshirë diasporën nga përfaqësimi politik dhe kanë zvogëluar shqiptarët në përllogaritjet zyrtare;
• nuk respektojnë përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe dhe kanë zhvlerësuar Inspektoratin e gjuhëve dhe Agjencinë e gjuhëve”, thonë nga BDI.
BDI shton se sot, përveç dështimit me ndryshimet kushtetuese, kjo qeveri hap fronte të reja kundër mekanizmave të barazisë si shumica e Badenterit, një nga shtyllat më të forta kushtetuese që garanton stabilitetin ndëretnik, barazinë reale në vend dhe mbron nga majorizimi.
“Çdo tentativë për ta relativizuar ose rishikuar Badenterin është tentativë për ta kthyer shtetin pas në përjashtim dhe diskriminim. Jemi dëshmitarë se gjithnjë e më shumë po zënë vend ide të rrezikshme, që përfaqësojnë ata që besojnë se shtetet multietnike nuk funksionojnë dhe se duhet ndërtuar shtete etnike. Kjo qasje manifestohet në dy drejtime: përmes goditjeve të Marrëveshjes së Ohrit, që rrënojnë barazinë e brendshme, dhe përmes bllokimit të rrugës europiane, që e izolon vendin dhe e kthen mbrapa. Bashkimi Demokratik për Integrim mbetet forca politike që ka mbrojtur dhe do të mbrojë Marrëveshjen e Ohrit, kursin euroatlantik të vendit dhe dinjitetin e qytetarëve. Shqiptarët nuk do të lejojnë kthimin e shtetit në padrejtësi dhe përjashtim. Tetori është afër dhe populli do të flasë fuqishëm. Ora e përgjegjësisë politike dhe juridike po afron. Marrëveshja e Ohrit nuk cenohet, barazia nuk negociohet”, thonë nga BDI.
Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe tha se zhbllokimi i integrimit evropian kërkon qasje prej burrështetasi, prandaj është e paqartë që Kryeministri një herë kërkon konstruktivitet, dhe pastaj refuzon çdo propozim. Deklarata e tij vjen pasi Mickoski refuzoi propozimin për Rezolutë të përbashkët në Parlamentin e Maqedonisë mbi vijat e kuqe.
Nga ana tjetër, pushteti i RMV-së është kategorik se nuk do të ketë ndryshime kushtetuese. Kjo u dëshmua edhe nga paraqitja e fundit e kryediplomatit Timço Mucunski, në intervistën e fundit për revistën Politiko. Për zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, kuadër i VLEN-it koha prej një viti në qeveri nuk është e mjaftueshme për ndryshimet kushtetuese, edhe pse premtim kryesor i tyre ishte se për gjashtë muaj kjo punë do të kryhet.