Rasti tragjik në Shkup, Prokuroria kërkoi dënim maksimal, mbrojtja kërkoi lirim

Me fjalët përmbyllëse të palëve sot në Gjykatën Themelore Penale në Shkup ka vazhduar gjykimi kundër Stojançe Jovanovskit ku Prokuroria kërkoi dënimin maksimal për të pandehurin, duke vlerësuar se procedura vërtetoi vazhdimësinë e dhunës fizike, psikologjike dhe ekonomike ndaj Ivana Jovanovskës e cila, sipas aktakuzës, kulminoi me tragjedinë më 2 mars të këtij viti, kur ajo dhe vajza e saj gjashtëvjeçare Katja humbën jetën. Mbrojtja, nga ana tjetër kërkoi lirimin nga akuzat, duke argumentuar se Prokuroria nuk kishte vërtetuar as pasojën dhe as shkakun e veprave që i m’vishen të akuzuarit, raporton MIA.

Në fjalën e saj përfundimtare, prokurorja Adela Bojçeviç theksoi se deklaratat e anëtarëve të familjes, ekspertiza psikiatrike, dokumentacioni mjekësor, regjistrimet audio dhe provat e tjera materiale jepnin një pamje të qartë të abuzimit afatgjatë dhe se ky nuk ishte një incident i izoluar, por i dhunës së vazhdueshme dhe kontrollit mbi palën e dëmtuar.

“Gjatë kësaj procedure, Prokuroria paraqiti prova të shumta. Nga deklaratat, raportet e ekspertizës familjare dhe psikiatrike, dokumentacioni mjekësor, regjistrimet audio dhe provat e tjera materiale, gjykata mori një pamje të qartë të abuzimit. Ky nuk është një rast i izoluar… Pala e dëmtuar ishte e varur financiarisht nga i akuzuari, pa siguruar një vend për të jetuar për veten dhe fëmijën e saj dhe i pandehuri ishte në dijeni të kësaj dhe e përdori atë për ta kërcënuar se do ta linte pa kulm mbi kokë dhe pa fëmijën e saj”, deklaroi Bojçeviq.

Prokurorja tha se e dëmtuara për shkak të frikës i tërhoqi denoncimet e saj të mëparshme, megjithëse provat, siç tha ajo, tregojnë se ajo po përpiqej të mbronte shtëpinë dhe fëmijën e saj.

Gjykimi kundër Jovanovskit filloi në fund të marsit. Gjatë procedurës së provave, gjykatës iu paraqitën regjistrime audio nga raportet e policisë dhe regjistrime video të cilat sipas Prokurorisë, regjistruan dhunë fizike dhe psikologjike ndaj Ivana Jovanovskës.

Stojançe Jovanovski akuzohet për tre vepra penale – lëndim trupor si vazhdim i dhunës në familje, rrezikim i sigurisë dhe nxitje për vetëvrasje dhe ndihmë në vetëvrasje, të lidhura me tragjedinë e 2 marsit të këtij viti.

Tragjedia e 2 marsit 2026, në të cilën një grua nga Shkupi dhe vajza e saj gjashtëvjeçare vdiqën pasi ranë nga një ballkon në Shkup pas shumë vitesh dhunë në familje, rihapën temën e përgjegjësisë së institucioneve që supozohet të mbrojnë viktimat. Ministria e Brendshme kishte regjistruar disa raportime për marrëdhënie të prishura ndërpersonale dhe sulme fizike mes bashkëshortëve.