Raporti i grupit të punës për rastin Teodora i është dorëzuar Këshillit Gjyqësor
Grupi punues ia dorëzoi kryetarit të Këshillit Gjyqësor Aleksandar Kambovski raportin për rastin e Teodora Ristovskës, e cila u godit në një vendkalim për këmbësorë në Tetovë, ndërsa i pandehuri Mensur Pajaziti mori dy vjet burg. Grupi punues, i përbërë nga tre anëtarë, duhej ta shqyrtojë lëndën nga dita e parë kur aktakuza hyri në gjykatë e deri të hënën, kur ajo filloi dhe përfundoi për herë të dytë në Gjykatën e Tetovës, transmeton Portalb.mk.
“Puna e grupit punues ka përfunduar, informacionet janë dorëzuar, por unë ende nuk kam pasur mundësi ta shoh atë informacion dhe do të publikohet menjëherë dhe lënda do të kthehet në gjykatë. Presim që gjatë ditës të dalim me më shumë informata”, tha Kambovski sot pas deklaratave solemne të disa kryetarëve të rinj të gjykatave.
Reagimet publike për këtë rast ishin të forta, ndërsa kryeministri Hristijan Mickoski publikisht kërkoi nga Këshilli Gjyqësor shqyrtimin e punës së gjyqtarit që vendosi ta dënojë shoferin me dy vjet burg, duke theksuar se një vendim i tillë paraqet “dështim të sistemit”.
Kritikave iu bashkua edhe ministri i Drejtësisë Igor Filkov, i cili deklaroi se reagimi i publikut është tregues i rëndësishëm i integritetit të dobët të sistemit gjyqësor.
Pas një presioni të tillë, Këshilli Gjyqësor tha do të shqyrtojë aktgjykimin e dhënë nga Elvedin Ferati.
Nga ana tjetër Gjykata Themelore e Tetovës, reagoi duke thënë se “gjykatësit kanë vepruar sipas ligjit” dhe bëjnë thirrje që të mos linçohen dhe të mos cenohet pavarësia e gjyqësorit funksionimi i shtetit ligjor.
- LEXO: Mickoski kërkoi të hetohet puna e gjyqtarit që e dënoi të akuzuarin me dy vjet burg për vdekjen e Teodora Ristovskës
- LEXO: Filkov: Këshilli Gjyqësor është i thirrur të reagojë pas reagimeve për vendimin për Teodorën
Më 7 prill, Gjykata Themelore e Tetovës i ka shqiptuar dy vite burg Mensur Pajazitit, për aksidentimin e Teodora Ristovskën në një vendkalim për këmbësorë, e cila më pas ndërroi jetë në spital.
Ky rast ishte në rigjykim.
Paraprakisht Gjykata Themelore e Tetovës Pajazitin e dënoi me tre vjet e gjashtë muaj burg.
Më pas, Gjykata e Apelit ia zvogëloi dënimin në dy vjet.
Kurse Gjykata Supreme i anuloi të dy aktgjykimet dhe e ktheu gjykimin në Gjykatën Themelore të Tetovës.
Teodora u përplas në një vendkalim për këmbësorë më 15 gusht 2022 në Bulevardin “Video Smilevski Bato”, i njohur ndryshe si Rruga Industriale. Ajo ndërroi jetë pak ditë më pas në spital.