Filkov: Këshilli Gjyqësor është i thirrur të reagojë pas reagimeve për vendimin për Teodorën

Edhe një herë u tregua se besimi dy përqind i qytetarëve në gjyqësor nuk është i kotë. Kështu ka thënë ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, duke komentuar aktgjykimin e gjyqtarit Elvedin Ferati, i cili dje vendosi ta dënojë me dy vjet burg shoferin që e goditi Teodora Ristevskën nga Tetova e cila më pas vdiq, raporton Portalb.mk.

Fillkov ka deklaruar se pas reagimit të opinoinit, Këshilli Gjyqësor është thirrur që të reagojë.

“Nuk guxoj dhe as nuk mund ta komentoj vendimin, por ajo që sigurisht dua të komentoj është reagimi i publikut, dhe reagimi publik është ai zë i popullit që është shumë i rëndësishëm, që duhet të arrijë secilin prej nesh, përfshirë edhe Këshillin Gjyqësor që është i thirrur të reagojë. Besimi dy për qind në gjyqësor është dëshmuar edhe një herë se nuk është i kotë”, tha Filkov.

I pyetur se si i lejohet një gjyqtari që është kritikuar për dyshime se ka korrigjuar notat në Universitetin e Tetovës, Filkov shkurt është përgjigjur se kjo është e palejueshme dhe, siç tha ai, pyetja duhet të shtrohet në Këshillin Gjyqësor.

“Është absolutisht e papranueshme dhe prandaj po punojmë për ndryshime. Ajo që për fat të keq po na përsëritet është se duhet të nxitojmë që të mos ndodhin raste të tilla në të ardhmen. Ju mund t’ia bëni pyetjen Këshillit Gjyqësor”, tha Fillkov.

Edhe kryeministri i vendit Hrisrijan Mickoski ka kërkuar që të hetohet puna e gjyqtarit Elvedin Feratit. Ai kërkoi nga Këshilli Gjyqësor që të shqyrtohet puna e këtij gjyqtari dhe të ri-analizohet aktgjykimi i tij, sepse, siç tha ai, këtu kemi një dështim të sistemit në të gjitha bazat.

“Dua publikisht të pyes, a ka dikush në këtë shtet që mendon se drejtësia është vënë në vend?! Unë jo vetëm që nuk konsideroj se drejtësia është e kënaqur, por si kryeministër, si njeri dhe si prind i dy fëmijëve jam thellësisht i zhgënjyer. Kjo nuk është drejtësi, edhe këtu kemi të bëjmë me dështim total të sistemit në të gjitha bazat. E di që dikush do të më hidhërohet, do të ketë edhe “mendjemëdhenj” të cilët do të më kritikojnë pas kësaj që do e them, por publikisht kërkoj nga Këshilli Gjyqësor të rishqyrtojë punën e këtij gjyqtari dhe të rishqyrtohet kjo çështje.”, tha Mickoski.

Gjykatësi Elvedin Ferati ka qenë i komentuar në opinion pasi u konstatua se ai i ka korrigjuar notat e tij me shkarravitje në Universitetin e Tetovës. Rasti u zbulua nga Komisioni Kundër Korrupsionit më 27 dhjetor 2023, si pjesë e një auditimi të madh që numëroi fakultetet dhe studentët e diplomuar të cilëve iu dhanë diploma me një numër të pamjaftueshëm kreditesh. Ndërsa më pas u hap edhe hetim.

7 prill, Gjykata Themelore e Tetovës i ka shqiptuar dy vite burg Mensur Pajazitit, për aksidentimin e Teodora Ristovskën në një vendkalim për këmbësorë, e cila më pas ndërroi jetë në spital.

Ky rast ishte në rigjykim.

Paraprakisht Gjykata Themelore e Tetovës Pajazitin e dënoi me tre vjet e gjashtë muaj burg.

Më pas, Gjykata e Apelit ia zvogëloi dënimin në dy vjet. 

Kurse Gjykata Supreme i anuloi të dy aktgjykimet dhe e ktheu gjykimin në Gjykatën Themelore të Tetovës. 

Teodora u përplas në një vendkalim për këmbësorë më 15 gusht 2022 në Bulevardin “Video Smilevski Bato”, i njohur ndryshe si Rruga Industriale. Ajo ndërroi jetë pak ditë më pas në spital.