Sot nga Bullgaria kthehet një i lënduar në rastin Koçani, gjendja e pacientëve kritik mbetet e pandryshuar

Ministria e Shëndetësisë informon se sot kthehet një pacient i cili ishte në trajtim në Bullgari. Aktualisht, jashtë vendit janë të shtruar 55 pacientë. Gjendja e pacientëve që trajtohen jashtë mbetet e pandryshuar, përfshirë edhe gjendjen e pacientëve në gjendje kritike, transmeton Portalb.mk.

Në spitalet brenda vendit për momentin po trajtohen 10 pacientë, prej të cilëve katër në Klinikën Kirurgjikale “Shën Naum Ohër”, nga një pacient në Klinikën e Toksikologjisë, Klinikën për Kirurgji Pediatrike, Klinikën e Pulmologjisë dhe në Spitalin e Përgjithshëm “8 Shtatori”, si dhe dy pacientë në spitalin privat “Sistina”.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.