Në Koçan nuk ka gjyqtarë për gjykim të mundshëm të tragjedisë me zjarrin

Të pesë gjyqtarët nga Gjykata Themelore në Koçan kanë vepruar në shkallë të parë apo të dytë në procedurën lidhur me tragjedinë e ndodhur në diskotekën “Pulse”, ku humbën jetën gjithsej 62 persona. Kryetari i sapozgjedhur i Gjykatës, Spiro Borisov sot ka dhënë  deklaratë solemne në Këshillin Gjyqësor, transmeton Portalb.mk.

As Këshilli Gjyqësor dhe as Borisov nuk deshën të paragjykojnë nëse gjykimi do të zhvillohet në Koçan, duke shpjeguar se është ende herët.

“Mendoj se është herët, çdo gjë është në kohën e vet. Këshilli gjyqësor është në rrjedhë. Për këtë nuk duhet të vendosë Këshilli Gjyqësor, do të veprohet sipas ligjeve”, tha kryetari i Këshillit Gjyqësor, Aleksandar Kambovski.

Borisov tha se të gjithë gjyqtarët kanë vepruar tashmë në shkallën e parë dhe të dytë dhe nuk mund të veprojnë.

“Për momentin mund të theksoj nëse është duke u zhvilluar hetim. Veprimet ndërmerren pas ankesave të parashtruara kundër vendimeve të gjyqtarit të procedurës paraprake. Kushdo që ka vepruar si gjyqtar në procedurën e mëparshme, sipas ligjit për procedurën penale, nuk mund të marrë pjesë më tutje si anëtar i gjyqtarit gjykues, anëtar i këshillit për vlerësimin e aktakuzës”, tha Borisov dhe shtoi se të gjithë tashmë kanë vepruar në shkallën e parë dhe të dytë.

Nuk ka ende të dhëna nëse do të delegohen gjyqtarë nga gjykatat e tjera apo nëse gjykimi do të zhvillohet në gjykata të tjera.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më pas dy pacientë ndërruan jetë dy javë pas tragjedisë, duke e çuar numrin total të viktimave në 61. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit kanë identifikuar si të dyshuar gjithsej 34 persona dhe tre kompani për krime të rënda kundër sigurisë publike. Ndërkaq, Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, në mesin e tyre ka ish-funksionarë shtetërorë. Në paraburgim janë 24 persona.