Mickoski kërkoi të hetohet puna e gjyqtarit që e dënoi të akuzuarin me dy vjet burg për vdekjen e Teodora Ristovskës
Kjo nuk është drejtësi. Kështu e ka komentuar kryeministri Hristijan Mickoski vendimin e gjyqtarit të Tetovës, Elvedin Ferati, i cili dje e dënoi me dy vjet burg të pandehurin Mensur Pajaziti për aksidentin e trafikut para gati tre viteve në të cilin e goditi për vdekje 22-vjeçaren Teodora Ristovska, transmeton Portalb.mk.
Duke u bazuar në rastin, kryeministri publikisht kërkoi nga Këshilli Gjyqësor që të shqyrtohet puna e këtij gjyqtari dhe të ri-analizohet aktgjykimi i tij, sepse, siç tha ai, këtu kemi një dështim të sistemit në të gjitha bazat.
“Dje, opinioni përsëri u trondit nga rasti në Tetovë. Pas një aksidenti trafiku në gusht të vitit 2022, në seancën e parë gjyqësore në nëntor të vitit 2023, pas pranimit të fajit, autori që mori një jetë të re u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg. Pas ankesës, Gjykata e Apelit e uli dënimin, po e përsëris, Gjykata e Apelit e uli dënimin në dy vjet burg, që më pas Gjykata Supreme të anulojë të dy aktgjykimet dhe ta kthejë lëndën në rigjykim. Gjykata në Tetovë dje e dënoi me dy vjet burg autorin që vrau një jetë të pafajshme, Teodora Ristevska 22-vjeçare. Përsëris, Gjykata në Tetovë e dënoi me dy vjet burg autorin që e shtypi për vdekje 22-vjeçaren Teodora Ristevska. Dua publikisht të pyes, a ka dikush në këtë shtet që mendon se drejtësia është vënë në vend?! Unë jo vetëm që nuk konsideroj se drejtësia është e kënaqur, por si kryeministër, si njeri dhe si prind i dy fëmijëve jam thellësisht i zhgënjyer. Kjo nuk është drejtësi, edhe këtu kemi të bëjmë me dështim total të sistemit në të gjitha bazat. E di që dikush do të më hidhërohet, do të ketë edhe “mendjemëdhenj” të cilët do të më kritikojnë pas kësaj që do e them, por publikisht kërkoj nga Këshilli Gjyqësor të rishqyrtojë punën e këtij gjyqtari dhe të rishqyrtohet kjo çështje.”, tha Mickoski.
Ai shtoi se ljo nuk është luftë partiake, por betejë për të vërtetën, për përgjegjësinë, për drejtësinë. “Sepse kjo është betejë mes njerëzve dhe jo-njerëzve. Dhe njerëzit duhet të fitojnë. Vetëm në këtë mënyrë mund të fitojmë së bashku. Nëse ky sistem nuk “resetohet” tani, nëse nuk ndërmerren masa tani, atëherë gjithçka është e kotë”.
“Kjo nuk është çështje politike, kjo është çështje e së ardhmes. Kush ka qenë pjesë e kësaj, kush ka lejuar, kush ka mbyllur sytë – do të bartë përgjegjësi. Si institucionet, ashtu edhe personat përgjegjës dhe të gjithë ata që në çfarëdo mënyre kanë kontribuar që kjo tragjedi të ndodhë. Çdokush që ka keqpërdorur autoritetin e vetë, që ka vënë interesin personal para sigurisë së qytetarëve – do të përballet me drejtësinë. Ky nuk do të jetë edhe një rast tjetër që do të mbyllet pa përgjegjësi. Unë personalisht do ta ndjek dhe ju premtoj se drejtësinë do ta çojmë deri në fund. Ky është momenti kur patjetër e kemi të demonstrojmë se ligjet vlejnë për të gjithë. Sepse viktima e radhës mund të jetë secili prej nesh. Çdo kush që e ka keqpërdorur autoritetin e tij, çdo kush që ka vënë interesin personal përpara sigurisë së qytetarëve – do të përballet me drejtësinë”, është decid Mickoski.
Këtë rast konkret kryeministri e theksoi në fjalimin e tij në seancën konstituive të Trupit Ndërministror për Koordinimin e Veprimtarive Kundër Korrupsionit, që u mbajt në Qeveri.
Para se të trajtojë vendimin dhe të flasë për korrupsionin, i cili, siç tha ai, vret shpresën, dekurajon të rinjtë dhe të ndershmit dhe minon shoqërinë, kryeministri nënvizoi se korrupsioni është pengesa më e madhe për rritjen, zhvillimin dhe të ardhmen e një vendi.
Kujtojmë se me 7 prill, Gjykata Themelore e Tetovës i ka shqiptuar dy vite burg Mensur Pajazitit i cili në vitin 2022 e përplasi për vdekje Teodora Ristovskën në një vendkalim për këmbësorë.
Para fillimit të seancës një grup qytetarësh u mblodhën para gjykatës në shenjë proteste për të kërkuar drejtësi për Teodorën.
Ky rast ishte në rigjykim.