Rama: PD strehoi të miturit e dhunshëm, duan të rikthejnë “21 Janarin”, shpërblim 2.500 euro për çdo efektiv
Kryeministri Edi Rama akuzoi PD se mbështet dhe bëhet strehë e të rinjve pas sulmeve të dhunshme kundër policisë, pronës publike dhe private në Tiranë, transmeton Faktoje.al.
I shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Ervin Demo, Rama erdhi sërish me një gur në konferencë, duke deklaruar se dhuna nuk ka vend në demokracinë shqiptare.
“Me këtë gur, që është një dhunë e pastër, nuk negociohet. Me atë që vë përpara këtë gur, nuk negociohet. Në momentin kur fiton ky, atëherë logjika e këtij guri bëhet vetë shteti”, – shtoi kryeministri.
Sipas Ramës, ata që qëndrojnë pas protestave ëndërrojnë që policia t’i marrë jetën një të mituri për të rikthyer një tjetër “21 Janar” dhe për të vendosur shenjën e barazimit.
“Ata që mbrëmë u dhanë strehim politik, duke bërë të njëjtën gjë edhe kur ishin në kohë të tjera, refuzimin për ta lënë policinë të bëjë punën e vet. Por s’e kishin deri në fund kurajën të bënin këtë që po bëjnë sot. U gjetën të miturit, që merren dhe vihen përpara me shufra hekuri dhe çohen atje mish për top, duke ëndërruar që një polici t’i shpëtojë dora dhe t’i marrë jetën një të mituri, që pastaj të justifikohet e keqja edhe më e madhe. Duke ëndërruar që të kthehet këtu prapë ’21 Janari’, për të bërë shenjën e barazisë mes meje dhe nesh, që e kemi sjellë Shqipërinë deri këtu dhe e kemi ndërruar faqen e këtij vendi dhe e kemi ngritur dinjitetin e këtij vendi, me ata që në bulevard i vrisnin protestuesit”.
Sipas tij, “kjo masë ka nevojë për psikolog. Pas protestave ka armiq të Shqipërisë. Rusia nuk është një vend që ia do të mirën vendit tonë. Nuk është rastësi që del Rusia e përshëndet kombin shqiptar, që më në fund po tregojnë se kush janë në të vërtetë dhe po i përgjigjen Europës”, deklaroi Rama.
Kryeministri nënvizoi se paga e policëve do të rritet nga 1 janari 2027 dhe se do të jepet shpërblim 2.500 euro për çdo efektiv që është në këtë front.
Rama tha se shteti do ta fitojë betejën përballë protestave të dhunshme, ndërsa paralajmëroi se kush mendon se mund të marrë pushtetin përmes dhunës, do të zhgënjehet.
Ndërsa ministri i Brendshëm, Ervin Demo theksoi se protesta ka kaluar vijën e kuqe. “Komisariati nr3 është sulmuar, jo vetëm si godinë, por janë plagosur edhe efektivët. Elementët e dhunës kanë arritur në nivele që tregojnë se kjo nuk është më protestë studentore, madje nuk mund të quhet as protestë. Kemi pasur edhe sulme të dhunshme ndaj selisë së partive dhe një pjesë e atyre gjetën ‘azil’ tek një seli partie politike”- tha Demo.