Rama: NATO të shtojë praninë në Kosovë

Stabiliteti rajonal dhe në veçanti garantimi i sigurisë në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë zunë një vend të veçantë, jo vetëm në takimin informal që Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg zhvilloi në Shkup me aleatët e vendeve të Europës Juglindore, por edhe në konferencën e përbashkët për mediat që u mbajt pas takimit, raporton Klan.

Që në nisje të fjalës së tij kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama, ndërsa shprehu keqardhje për ngjarjen e Banjskës, e cila sipas tij duhet konsideruar një paralajmërim për rrezikun e lartë që ekziston për destabilizim dhe përshkallëzim të një konflikti dhe jo një ngjarje sporadike, kërkoi shtim të forcave të NATO-s në Kosovë.

“Theksova domosdoshmërinë e rritjes së numrit të forcave të NATO-s në Kosovë dhe domosdoshmërinë për të garantuar kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, i cili faktikisht është jashtë kontrollit”, tha Rama.

Brishtësinë e situatës në Ballkan e evidentoi edhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, i cili theksoi se aleanca është e gatshme që t’i përgjigjet çdo nevoje edhe në Kosovë.

“Ajo që shikojmë është rritja e tensioneve veçanërisht në Kosovë dhe në Bosnje Hercegovinë. Ne kemi zmadhuar prezencën tonë në Kosovë me rreth 1 mijë ushtarë dhe me armatime të rënda dhe jemi më vigjilent dhe do të bëjmë atë që është e nevojshme”, tha ai.

Një tjetër propozim i kreut të qeverisë shqiptare ishte edhe ai i mbajtjes së një tryeze permanente ku pjesëmarrës të mos jenë vetëm aleatët e NATO-s, por edhe vendet e tjera të Ballkanit.

“Sekretari i Përgjithshëm e priti me interes propozimin për të ndërtuar një format të një Samiti të NATO-s me Ballkanin Perëndimor ku të jenë të pranishëm, jo vetëm vendet anëtare të NATO-s në këtë rajon, por edhe vendet partnere të NATO-s, pra faktikisht vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor që këtu sot nuk janë të pranishme”, tha Rama.

Propozim ky që gjeti mbështetjen edhe të presidentit kroat.

“Unë vlerësoj se ky është një propozim shumë i qëlluar. Besoj që do të gjejmë mënyra që vendet e Rajonit dhe Europës Juglindore do të angazhohen në këtë drejtim. Ajo që do të marrë me vete nga ky takim është pikërisht ajo që propozoi kryeministri Edi Rama”, tha Milanoviç.

Në fjalën e tij për mediat, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se një tjetër çështje e ngritur edhe në takim ishte edhe ajo për ndërtimin e bazës ushtarake të NATO-s në Portoromano në Durrës.

Ne besojmë shumë që çdo gjë që ndodh hap pas hapi, e përforcon vlerën strategjike të një investimi të tillë”.

Takimi i Shkupi përmbylli edhe turin treditor që kreu i NATO-s ndërmori në Ballkanin Perëndimor.