Radhë të gjata në kohë me shi, studentët presin me orë të tëra të akomodohen në konviktin “Goce Dellçev” Shkup (Galeri)
Shi, baltë, dokumente të lagura dhe qindra ombrella nën të cilat studentë presin radhë – kjo është fotografia sot para konviktit studentor “Goce Dellçev” në Shkup. Nga sot nis kalimi në konvikte para fillimit të vitit të ri akademik. Radhët dhe pritjet me orë të tëra nuk u ikën as këtë vit studentët në këtë konvikt, i cili është më i madhi nga të gjitha konviktet studentore në funksion aktualisht, raporton Meta.mk, transmeton Portalb.mk.
Studentët dhe prindërit e tyre me valixhet në duar shihen përballë secilës prej katër godinave që janë pjesë e këtij kompleksi studentor.
Radha më e gjatë është përballë bllokut “B”, ku studentët – qiramarrësit e ardhshëm fillimisht duhet të shkojnë për të paguar dhe mbledhur dokumentet e nevojshme, e më pas të shkojnë të presin në radhë në godinën në të cilën kanë zgjedhur të akomodohen.
“Këtu jemi që nga ora 9 e mëngjesit, e presim djalin, ka arritur në mes të radhës, kushedi sa do të presim”, thanë prindërit e njërit prej studentëve që është aomoduar në “Goce Dellçev”.
“Arrita të marr dokumentet për një orë, tani pres në radhë për të hyrë në ndërtesë. Ka një turmë atje – jo aq sa për dokumente, por duhet të presësh më shumë që të të caktohet një dhomë”, tha një student që priste në radhë për të kaluar në bllokun “V”.
Zyrtarë nga Konvikti Shtetëror i Studentëve “Shkup” (KShS Shkup) më shumë se dy vjet më parë njoftuan se procesi i zhvendosjes do të digjitalizohet me qëllim të reduktimit të turmave, por kjo nuk ka ndodhur deri më sot.
Studentët e vendosur në konviktet në kuadër të KShS “Shkup” (“Goce Dellçev” dhe “Steve Naumov”) paguanin nga 300 denarë për karta studentore, të cilat nuk u shërbenin pothuajse asgjë.
Këtë vit ky shpenzim nuk parashikohet më. Studentët në “Goce Dellçev” tani paguajnë 500 denarë për dokumentet e nevojshme, 1.200 denarë për amortizimin dhe 3.645 denarë qira për muajin shtator.
Lëvizja në konviktet studentore shtetërore dhe private për studentët e viteve të dyta dhe lart do të zgjasë për dhjetë ditët e ardhshme.
Ndërkohë që nga sot mund të aplikojnë për akomodim në konvikt edhe studentët e vitit të parë.