Tripunovski zbuloi keqpërdorim të parave shtetërore: Kompanitë merrnin subvencione, por nuk paguanin qira

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, Cvetan Tripunovski, njoftoi se ka filluar të publikojë të gjitha rastet dhe aferat e dyshimta nga udhëheqësia paraprake e ministrisë. Ai tha se populli do të dëgjojë dhe shohë se si ka punuar ish-ministri Ljupço Nikollovski, transmeton Portalb.mk.

Tripunovski përmendi se disa persona juridikë i kanë marrë paratë e shtetit jashtë të gjitha rregulloreve.

“Nga sot asgjë nuk do të jetë si më parë. Fillojmë me publikimin e të gjitha rasteve dhe aferave të dyshimta nga udhëheqja e mëparshme e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave dhe Ljupço Nikollovskit si ministër i atëhershëm. Qytetarët, përveç që do të shohin se si ka punuar Nikollovski, sot do të kenë mundësinë të dëgjojnë edhe se çfarë ka ndodhur në Ministrinë e Bujqësisë në 7 vitet e fundit dhe se si subjekte juridike i kanë marrë paratë e shtetit jashtë të gjitha procedurave dhe rregulloreve. Rasti i parë që dua ta publikoj ka të bëjë me personin juridik AREKSPORT DOOEL Import – Export nga Strumica. Për t’u bërë më të qarta, do t’ju sqaroj procedurat pasi përmes Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave, këtij subjekti juridik i është lejuar që në mënyrë të kundërligjshme të marrë deri në 30 milionë denarë për subvencione”, thotë ministri.

Ministri shton se për periudhën nga viti 2019 deri në vitin 2022, Ministria ka lidhur gjithsej 19 kontrata me kompaninë nga Strumica për një sipërfaqe të përgjithshme prej 1.416 hektarësh.

Pas inspektimit të kryer nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë, u konstatua se për 11 marrëveshje me sipërfaqe prej 941 hektarësh, nga qiramarrësi nuk janë respektuar dispozitat e Marrëveshjes dhe është dashur të ndërpriten.

Në bazë të këtyre kontratave, qiramarrësi nga Agjencia për Mbështetje Financiare për Bujqësi dhe Zhvillim Rural ka realizuar të hyra prej 485 mijë euro në bazë të subvencioneve.

Krahas kësaj, qiramarrësit i është dashur të investojë mbi 2 milionë e 450 mijë investime në tokën në fjalë nëpërmjet një biznes plani që i ka ofruar Ministrisë dhe në momentin e kontrollit nga Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë është konstatuar se ka një investim prej rreth 300.000 euro.

“Gjithashtu, inspektorët kanë konstatuar se qiramarrësi nuk ka paguar qiranë për vitin 2022 dhe 2023, gjë që i ka shkaktuar dëme shtesë buxhetit në shumë prej 60 mijë euro. Është vepruar në kundërshtim me nenin 8 dhe 8-a të Ligjit për Tokën Bujqësore dhe toka bujqësore e cila nuk është kultivuar në bazë të marrëveshjeve të lidhura nuk është evidentuar fare dhe nuk janë marrë masa për paralajmërim apo ndërprerje të marrëveshjeve“, thotë Tripunovski.

Kujtojmë se VMRO-DPMNE ka ngritur akuzat për keqpërdorime nga ish-ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçeska.

Edhe ministri i Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov akuzoi paraardhësen e tij në detyrë, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, për keqpërdorime, jo vetëm në sferën e shpenzimit të parasë publike dhe kartelës zyrtare, por edhe për operim të kundërligjshëm dhe në sferën e investimeve kapitale.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) ka hapur lëndë për të vërtetuar akuzat për keqpërdorim të mjeteve buxhetore nga ish-ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska-Stojçevska.