Radev: Nuk do të vendosim kushte të reja, por Shkupi duhet t’i përmbushë obligimet nga korniza e negociatave

Bullgaria nuk vendos kushte të reja për integrimin evropian të Maqedonisë së Veriut, por këmbëngul që vendi të përmbushë detyrimet e marra tashmë nga korniza e negociatave që miratoi vitin e kaluar, transmeton Portalb.mk.

Kështu, siç raporton Televizioni Kombëtar Bullgar (BNT), tha presidenti bullgar Rumen Radev në fjalimin e tij gjatë promovimit të mbrëmshëm të librit “Lufta e bullgarëve maqedonas për të drejta dhe pavarësi. 68 raste nga periudha 1944-1994”.

Radev tha se Sofja dëshiron fuqishëm integrimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, por se fillimisht duhet të zbatojë angazhimet e marra. Çështja e të drejtave të bullgarëve në vend, tha Radev, nuk është as dypalëshe, as mosmarrëveshje ballkanike, siç po përpiqet të paraqitet, por prek themelet e BE-së.

“Dhe sot, kur thirremi që të mos vendosim kushte të reja për integrimin evropian të RMV-së, kur thirremi që të mos shikojmë më në të kaluarën, por vetëm përpara, vetëm në të ardhmen, duhet të themi me qetësi dhe qartësi se nuk vendosim kushte të reja. Ne dëshirojmë që Shkupit të përmbushë detyrimet e marra tashmë të vendosura në kornizën e negociatave”, tha presidenti bullgar, i cituar nga BNT.

Me gjuhën e urrejtjes, shtoi Radev, nuk mund të ndërtojmë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një të ardhme të qëndrueshme evropiane.

Këtë presidenti bullgar e tha pas një sërë deklaratash të përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në periudhën e kaluar, në të cilat theksohet se çështjet bilaterale ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë nuk duhet të jenë detyruese.

Një deklaratë të tillë e ka dhënë së fundi edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, i cili tha se nuk ka pengesa për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE dhe se çështjet bilaterale nuk do ta përcaktojnë procesin e pranimit të saj në BE.

Nga ana tjetër, kancelari gjerman Olaf Scholz, dy ditë më parë në Berlin deklaroi se negociatat për anëtarësim të Maqedonisë në BE duhet të zhvillohen sipas një procesi të rregullt, sipas asaj që është përcaktuar në kornizën e negociatave dhe se duhet të të mos ketë kërkesa të reja për situatën dypalëshe mes vendit dhe Bullgarisë.

Edhe kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, pas takimit në Berlin me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, të mërkurën në mbrëmje, tha se Maqedonia e Veriut nuk do të përballet me veto të re apo kushte të tjera nga Bullgaria në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, përveç atyre që parashihen me Marrëveshjen ndërmjet dy vendeve bazuar në atë që njihet si “propozimi francez”.

Ai ka “garantuar” se përveç ndryshimit të Kushtetutës për përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e saj, nuk do të ketë kushtëzime tjera nga Sofja.

“Me këtë, Republika Federale e Gjermanisë po inkurajon Maqedoninë e Veriut që të vazhdojë në rrugën e anëtarësimit në BE. Me rëndësi të madhe është miratimi i rezolutës në Bundestagun gjerman për mbështetjen e këtij procesi duke garantuar dhe respektuar gjuhën, identitetin dhe kulturën maqedonase”, tha Kovaçevski.

Negociatat e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në duhet të zhvillohen sipas agjendës dhe procedurave tashmë të përcaktuara, që të mos ketë kërkesa të tjera sa i përket situatës dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, tha Scholz. Ai shtoi se bisedimet e anëtarësimit duhet të vazhdojnë pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese.

“Unë do të jem i qartë, kjo çështje është e dakorduar dhe kështu duhet të jetë. Duhet të jetë një proces i rregullt i anëtarësimit, sipas procedurave që menaxhohen nga BE-ja. Këto janë gjëra që janë shkruar tashmë në letër dhe nuk duhet të ketë të tjera sa i përket situatës dypalëshe. Kjo është ajo pas së cilës qëndroj, ju garantoj”, deklaroi kreu i Qeverisë gjermane.

Kryeministri Kovaçevski tha se Maqedonia e Veriut tani më nuk përballet me bllokoda të jashtme, por vetëm me ato të brendshmet, duke aluduar në refuzimin e opozitës maqedonase për t’i mbështetur ndryshimet kushtetuese.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.