Qyteti i Shkupit kërkoi që të largohet emri “Adem Demaçi” nga rruga në Çair

Kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska, ka kërkuar nga këshilltarët e Qytetit të Shkupit që të mbështesin nismën për largimin e emrit “Adem Demaçi” nga rruga e sapoemëruar në Çair, transmeton Portalb.mk.

“Sot deri të Këshilli i Qytetit të Shkupit kam dorëzuar nismën për kthimin e emrit të rrugës “Brigada e dytë maqedonase”, e cila në përbërjen e kaluar të Këshillit u zëvendësua me “Adem Demaçin”, për të cilin Qeveria dha mbështetje për ndryshim”, deklaroi Arsovska.

Ajo kërkoi nga këshilltarët që të votojnë këtë nismë, dhe mos të politizohet kjo si nismë dhe mos të shfrytëzohet për tensione etnike. Arsovska ka dënuar edhe fjalimin e Kurtit, duke e vlerësuar si “retorikë nacionaliste”.

“DO të përmirësohet padrejtësia ndaj 230 heronjëve, pjesëmarrësve të etnive të ndryshme Brigadës së dytë maqedonase, të cilët dhanë jetën e tyre për mbrojtjen e Maqedonisë”, deklaroi Arsovska.

Kujtojmë se, më 11 gusht me prezencën edhe të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, u bë promovimi i riemërimit të rrugës në Komunën e Çairit.

Brigada e dytë maqedonase me përbërje multietnike ka qenë një ndër forcat partizane në Maqedoni e cila luftoi me sukses me okupatorin fashist bullgar, si dhe forcat fashiste në territorin e Jugosllavisë. Adem Demaçi, i cili ndërroi jetë në vitin 2018, ka qenë disident, gazetar, shkrimtar dhe politikan, i cili luftoi për pavarësinë e Kosovës, ndërsa në rrugën e riemëruar në Çair ka jetuar për kohë të shkurtër.