“Qyteti i Gjelbër Human” kërkoi mbylljen e ndotësit që lëshoi shkumën e bardhë në Lepenec dhe Vardar
Gjatë ditëve të fundit, në opinion janë publikuar video dhe fotografi ku shihet një sasi e madhe shkume të bardhë, e cila fillimisht mbuloi lumin Lepenec dhe më pas vazhdoi përgjatë rrjedhës drejt Vardarit. Iniciativa “Qyteti i Gjelbër Human” e cilëson këtë incident si “një tjetër ekocid ndaj mjedisit”, transmeton Portalb.mk.
“Ky është vetëm incidenti më i fundit në një varg të gjatë ngjarjesh që janë pasojë e mungesës së kontrollit efektiv ndaj kapaciteteve të mëdha industriale, të cilat, dukshëm, mund të ndotin pa frikë nga sanksionet dhe pa asnjë kujdes për mjedisin, biodiversitetin dhe jetën e qytetarëve, përderisa disa individë të fuqishëm përfitojnë prej kësaj. Fatkeqësisht, një neglizhencë e tillë nuk është as e re dhe as befasuese”, thuhet në reagimin e iniciativës.
Në vend që të zbatojnë me përpikëri ligjet dhe të mbrojnë interesin publik dhe burimet natyrore, iniciativa vlerëson se institucionet e Maqedonisë së Veriut veprojnë më shumë në drejtim të mbrojtjes së ndotësve industrialë.
“Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Qyteti i Shkupit ‘u mburrën’ se inspektorët e tyre ndodhen në terren dhe po e përcaktojnë origjinën e shkumës së bardhë. U bëjmë thirrje që punën e tyre ta kryejnë në mënyrë profesionale dhe transparente, ta informojnë publikun sa më shpejt për rezultatet e analizave, t’i identifikojnë përgjegjësit për ndotjen dhe t’i MBYLLIN ndotësit industrialë përgjegjës për këtë helmim. Prokurori Publike, nuk e pranojmë arsyetimin tuaj se ‘nuk dalim në terren për çdo shishe’. Po, do të dilni për çdo shishe, sidomos kur bëhet fjalë për disa tonë shishe ose topa të Federatës së Futbollit të Maqedonisë të hedhur qëllimisht në lumë. Qyteti i Shkupit, nuk e pranojmë arsyetimin se ‘ndoshta është shkumë nga një autolarje’ dhe histori të ngjashme absurde. Një autolarje nuk mund të ndotë një lumë të tërë me shkumë, aq më pak me metale të rënda”, reagoi “Qyteti i Gjelbër Human”.
Ata gjithashtu kërkojnë që, siç thonë, të mos fshihen shkelësit dhe të publikohen të gjitha rastet deri më tani – kush është ndëshkuar, kur, për çfarë dhe nëse është arritur marrëveshje për gjobë më të ulët.
“Ministria e Mjedisit dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, nuk pranojmë marrëveshje, qoftë edhe me vlerë miliarda euro, me terroristë ekologjikë, e lëre më gjobat tuaja qesharake prej 100 mijë denarësh, të cilat çdo kompani e madhe i fiton për pak ditë. Kërkojmë dënime shumë më të ashpra me burg, si dhe gjoba financiare të bazuara në të ardhurat vjetore të ndotësve, në masën të paktën 20 përqind. Nuk duam të dëgjojmë më se nuk keni inspektorë, staf profesional apo mjete financiare. Keni drejtues ekzekutivë të këtyre institucioneve, të cilët janë përgjegjës pikërisht për këtë. Nuk pranojmë justifikime të tilla të mjerueshme, pas të cilave fshihet mungesa e efikasitetit dhe paaftësia për të ushtruar funksionet publike që duhet t’i kryeni me përkushtim për mbrojtjen tonë, për të cilën ne qytetarët ju paguajmë”, thuhet në reagim.
Përndryshe, gjatë fundjavës shkuma e bardhë ndaloi së rrjedhuri në lumin Lepenec. Kryetari i Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, paralajmëroi analiza të ujit, por deri më tani nuk ka informacione se çfarë saktësisht ka ndodhur me lumin.
Gjorgjievski tha se shërbimet inspektuese të qytetit dolën menjëherë në terren, ndërsa u kontaktuan edhe inspektorët e Ministrisë së Mjedisit, të cilët gjithashtu kryen inspektime. Po ashtu, Qyteti i Shkupit përdori edhe një dron për monitorimin e situatës, ndërsa ekipet e NP “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” u angazhuan për të marrë mostra të ujit nga lumi.