Për një dite, secili banor i Shkupit shpenzoi 700 litra ujë, “Ujësjellësi dhe Kanalizimi” bëri thirrje për përdorim racional

Ndërmarrja Publike “Ujësjellës dhe Kanalizime” muajin e kaluar vuri re një rritje të madhe të konsumit të ujit, veçanërisht në orët e pasdites, transmeton Portalb.mk.

Sipas sistemit për monitorimin dhe matjen e konsumit ditor të ujit, u përcaktua se më 23 qershor, konsumi ditor i ujit arriti në 356 mijë metra kub, ose 700 litra për kokë banori.

Për shkak të konsumit të rritur, “Ujësjellës dhe Kanalizime” u bën thirrje qytetarëve që ta përdorin ujin me ndërgjegje dhe në mënyrë racionale. Prandaj, ata thonë se duhet të shmanget shpërdorimi i panevojshëm i ujit për ujitje të gjelbërimit, kopshteve dhe fushave, për larjen e makinave dhe për mbushjen e pishinave.

Ndërmarrja gjithashtu u bën thirrje qytetarëve që nëse vërejnë një lidhje të paligjshme, ta raportojnë atë në numrin e telefonit: 02 3070 010, ose në adresën e email-it: [email protected], si dhe në faqen e internetit: www.vodovod-skopje.com.mk.

Lidhjet e paligjshme, shton ndërmarrja, shkaktojnë dëme të drejtpërdrejta në sistem dhe në cilësinë e furnizimit me ujë.