Qytetarët e RMV-së nuk do të mund t’i kthejnë rreth 20 milionë euro nga kreditë e shpejta
Rreth 30 mijë kredi të ashtuquajtura “të shpejta” apo sipas emrit të saktë “kredi konsumatorë”, të destinuara dhe të padestinuara, 15 vjet nuk mund të shlyhen nga ana e qytetarëve. Kjo do të thotë se kreditë jofunksionale në këtë sektor janë rreth 13-14%. Në shifra, diçka nën 20 milionë euro qytetarët nuk mund t’ia kthejnë këtyre shoqërive, raporton TV21.
Nga Grupacioni thonë se për këtë janë ashpërsuar kriteret për miratimin e kredive. Përndryshe ligji lejon që të miratohen kredi deri në 70% ekspozim të qytetarëve, përkatësisht t’i mbeten vetëm 30% të të ardhurave për jetesë dhe se kjo nuk mund të prodhojë skllavëri borxhi.
Ky sektor për të cilin vitin e kaluar në mënyrë drastike u ashpërsua rregullorja, në vitin 2024 kishte rritje të kreditimin prej 8%, përkundër sektorit bankar prej 11%. Ose shpjeguar në shifra, 172 milion euro të plasuara kundër 7 miliardë e 985 milion euro nga ana e bankave. Kjo do të thotë se shoqëritë jobankare financiare marrin pjesë me 2.1 % të kreditimin në vend.