Qytetarët e Austrisë kundër zgjerimit të BE-së, nuk e duan RMV-në në BE

Austriakët mbeten skeptikë për zgjerimin e mundshëm të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Sipas anketës së Shoqatës Austriake për Politikë Evropiane, e cila është bërë në prill të këtij viti, asnjë kandidat potencial për anëtarësim nuk ka marrë mbështetje nga shumica e qytetarëve. Austriakët janë gjithashtu të ndarë në mendimet e tyre nëse Bullgaria dhe Rumania duhet të bëhen pjesë e zonës Shengen, transmeton Portalb.mk nga 360 Gradë.

Foto: Shoqëria Austriake për Politikat Evropiane
Foto: Shoqëria Austriake për Politikat Evropiane

Bosnja dhe Hercegovina gëzon mbështetjen më të madhe për anëtarësim me mbështetjen e 29% të të anketuarve. Mbështetja për Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut varion nga 24% në 21%, ndërsa vetëm 16% e qytetarëve do të jepnin dritën jeshile për Kosovën. Nga ana tjetër, 41% e austriakëve janë kundër hyrjes së Bosnjë-Hercegovinës, 41% janë kundër hyrjes së Maqedonisë së Veriut, 48% janë kundër hyrjes së Serbisë dhe 53% janë kundër hyrjes së Kosovës. Qytetarët e Austrisë e kanë “pranimin” më të madh ndaj hyrjes së Turqisë në BE.

Krahasuar me anketën e mëparshme të kryer në korrik 2022, mbështetja për hyrjen e Serbisë dhe Shqipërisë në BE u rrit me 8 përqind, Bosnjes dhe Hercegovinës me 5 për qind dhe Turqisë me 3 për qind. Sipas anketës, për qytetarët e Austrisë, as Ukraina, as Gjeorgjia dhe Moldavia nuk janë të mirëseardhura në Bashkim.

Nga ana tjetër, shumica në Austri është kundër hyrjes së Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen. 38% thanë se ishin në favor të hyrjes së Bullgarisë, ndërsa 42% u përgjigjën “jo”. Për Rumaninë, shifrat janë pothuajse të ngjashme, 36% e austriakëve janë pro hyrjes së Rumanisë në Shengen, ndërsa 44% e të anketuarve janë përgjigjur “jo”.