Linda Yaccarino është CEO e re e Twitter

Gjashtë muaj pas marrjes së tij kontroverse të Twitter, Elon Musk ka emëruar CEO të ri të kompanisë së mediave sociale, transmeton Portalb.mk.

Miliarderi tha se Linda Yaccarino, ish-shefe e reklamave në NBCUniversal, po vjen në këtë pozicion. Yaccarino do të fillojë me punë pas gjashtë javësh dhe Musk do të mbetet i përfshirë si president dhe shef i teknologjisë.

“Mezi pres të punoj me Lindën për ta transformuar këtë platformë në “X, aplikacioni gjithçka”, shkroi Musk në Twitter, duke konfirmuar vendimin një ditë pasi nxiti spekulimet duke shkruar se ai kishte gjetur një shef të ri pa zbuluar identitetin.

Musk bleu Twitter për 44 miliardë dollarë dhe që atëherë ka qenë nën presion për të gjetur një zëvendësues për të drejtuar kompaninë, në mënyrë që të mund ta kthejë vëmendjen te bizneset e tij të tjera – duke përfshirë prodhuesin e makinave elektrike Tesla dhe një kompani raketash “SpaceX”.

Yaccarino do të bëhet shembull i rrallë i një gruaje në krye të një kompanie të madhe teknologjike. Gratë përbëjnë më pak se 10 përqind të pozitave të CEO-ve në gjigantët e teknologjisë që janë pjesë e 500 kompanive më të mëdha amerikane.

BBC raporton se Yaccarino ka punuar në Turner Entertainment për 15 vjet përpara se të bashkohej me NBC Universal, ku ajo mbikëqyri 2000 punonjës dhe ishte e përfshirë në lançimin e shërbimit të transmetimit të kompanisë. Puna e saj shënohet nga bashkëpunimet e ngushta me markat e mëdha dhe gjetja e mundësive për vendosjen e produkteve.

Disa reklamues të mëdhenj ndaluan reklamat në Twitter pasi Musk mori përsipër kompaninë.