Qytetarët dhe institucionet mjaft pak e përdorin portalin ku mund të dorëzohen kërkesa dhe përgjigje për qasje në informata

Për dy vite, nëpërmjet portalit “Qasje të Lirë” deri tek informatat me karakter publik janë dërguar 162 kërkesa tek institucionet, prej të cilave thuajse gjysma nuk janë përgjigjur. Nga Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik thonë se institucionet dhe kërkuesit ende e praktikojnë formën klasike që kërkesat e tyre t’i dorëzojnë nëpërmjet e-mailit ose t’i dorëzojnë personalisht në vend që atë ta bëjnë nëpërmjet portalit në formë elektronike, shkruan Portalb.mk.

Prej vitit 2021, krahas formës klasike nëpërmjet e-mailit dhe dorëzimit fizik, në kuadër të Agjencisë për Mbrojtjen e Qasjes së Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik është vënë në funksion portali, nëpërmjet të cilit personat fizik dhe juriidik, kërkesat për informata mund dorëzohen edhe në formë elektronike deri te bartësit e informatave (institucionet) ose të dorëzojnë ankesa, nëse për kërkesën e tyre nuk marrin përgjigje në afatin e paraparë kohor me ligj.

Megjithatë, qytetarët mjaft pak e përdorin këtë portal, por nga ana tjetër, edhe aq më pak institucionet u japin përgjigje. Sipas statistikave, për këto dy vite, afërsisht nga 6 kërkesa në muaj janë dërguar deri tek institucionet nëpërmjet këtij portali, ndërkaq institucionet në muaj janë përgjigjur në 3 deri në 4 kërkesa. Për numrin e ulët të kërkesave të përgjigjura, Agjencia thotë se kjo është për arsye se institucionet kanë shmangur të përgjigjen nëpërmjet portalit dhe përgjigjen e kanë dorëzuar në formë klasike.

“Nga funksionimi i deritanishëm dyvjeçar i portalit për kërkuesit, shfrytëzimi i tij nga ana e kërkuesve ende është në nivel të ulët me 162 kërkesa të dorëzuara deri te bartësit përkatës të informatave. Ndaj kërkesave të dorëzuara sipas statistikës së portalit, nga ana e bartësve të informatave janë përgjigjur gjithsej në 82 kërkesa, në procedurë janë 5 kërkesa, ndërkaq 75 përgjigje janë të pa përgjigjura. Në lidhje me kërkesat e pa përgjigjura, Agjencia dëshiron t theksojë se bartësit e informatave ndoshta kanë vepruar ndaj të njëjtave dhe i kanë dorëzuar deri te kërkuesit në mënyrë të drejtpërdrejtë në e-mailin e tyre ose në adresën e vendbanimit ose kërkuesi personalisht e ka marrë përgjigjen”, thonë për Portalb.mk nga Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik.

Megjithatë, ata shtojnë se edhe kërkuesit, shumicën e rasteve, nuk e përdorin portalin për të dorëzuar kërkesa.

Në lidhje me atë nëse promovohet platforma me qëllim që të informohen qytetarët dhe institucionet se ekziston ky portal, nëpërmjet të cilës në mënyrë të lehtë mund të dorëzohet kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, nga Agjencia thonë se “aktivisht e promovojnë portalin me trajnime për personat zyrtar, duke i nxitur që përgjigjet e kërkesave të dorëzuara t’i dorëzojnë edhe nëpërmjet portalit”.

“Ndërkaq për kërkuesit, promovimi bëhet nëpërmjet punëtorive dhe sesioneve edukative të cilat (Agjencia) i organizon në bashkëpunim me organizatat civile në të cilat të njëjtin e promovon. Agjencia platformën e promovon edhe në ngjarjet e organizuara për njohjen e qytetarëve për të drejtën e tyre për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik dhe mënyrën se si t’i kërkojnë të njëjtat”, shtojnë nga Agjencia.

Portalb.mk hapi llogari në këtë platformë dhe më 5 dhjetor të këtij viti, dorëzuam dy kërkesa për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, njërën deri te Komuna e Çairit në lidhje me Planin Detal Urbanistik, ndërkaq tjetrën deri te Këshilli Gjyqësor, për të dhëna statistikore në lidhje me lëndët e vjetruara. Megjithatë, deri në publikimin e këtij teksti, institucionet ende nuk janë përgjigjur në kërkesat tona.

Kërkesa të dorëzuara nëpërmjet portalit "Qasje të Lirë"
Kërkesa të dorëzuara nëpërmjet portalit “Qasje të Lirë”

Si përdoret e-portali për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik?

Si qytetar apo person juridik mund të kyçeni në portal nëpërmjet ueb-faqes së Agjencisë për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik aspi.mk, duke klikuar në sustën “E-Portal për kërkues” apo në “slobodenpristap.mk”, ndërkaq përfaqësuesit e institucioneve kanë sustë të veçantë ku mund të kyçen, gjegjësisht në “E-portal për bartësit”. Kjo d.m.th., se të dy palët, edhe kërkuesit edhe bartësit e informatave do të jenë të qasshëm në një platformë të vetme ku mes vete do të këmbejnë kërkesa dhe përgjigje për informata në formë elektronike.

Në portal ka kënde të veçanta ku mund të dorëzoni kërkesë, t’i shikoni kërkesat dhe përgjigjet ndaj kërkesave nga persona tjerë, ta shikoni listën e bartësve të institucioneve, të dorëzoni ankesë apo t’i shikoni pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta të cilët do të ju ndihmojnë më lehtë për ta përdorur portalin.

Nëse dëshironi të dorëzoni kërkesë nëpërmjet portalit, fillimisht duhet të hapni llogari nëpërmjet e-mailit. Pasi të krijoni llogari, hapni këndin për dorëzim të kërkesave, zgjidhni institucionin dhe plotësoni formularin. Pas plotësimit, dorëzoni dhe prisni përgjigjen nëse kërkesa juaj është në rregull dhe më pas prisni përgjigjen.

“Ju e zgjidhni bartësin se deri te cili dëshironi në formë elektronike të krijoni dhe dërgoni kërkesë për qasje të lirë deri tek informatat me karakter publik, ndërkaq më pas shkruani përshkrim të shkurtër për informatën e kërkuar. Kërkesa juaj në formë elektronike dërgohet te bartësi. Çdo përgjigje që merret nga bartësi, në mënyrë automatike publikohet në portalin “Qasje e lirë” e njëjta është publike. Nëse kërkuesi nuk ka marrë përgjigje në afatin e paraparë prej 20 ditësh ose nuk është i kënaqur nga përgjigja, mund të dorëzojë ankesë te Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik në afat prej 15 ditësh”, shkruan në këndin e udhëzimit për përdorimin e kësaj platforme.

Për më shumë mund ta ndiqni dhe videon në të cilën në mënyrë të detajuar shpjegohen të gjitha hapat.

Sipas ligjit, qasje deri tek informatat me karakter publik ka të drejtë çdo person fizik dhe juridik nga Maqedonia e Veriut dhe jashtë vendit.

“Sipas Ligjit për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, bartësi duhet: Ta sigurojë informatën e kërkuar (tërësisht ose pjesërisht) duke miratuar vendim të arsyetuar; Nëse nuk e kanë informatën në përgjigjen e Kërkuesit tha theksojnë Bartësin që sipas përmbajtjes së kërkesës është Bartës i informatës; ose Ta refuzojnë kërkesën me vendim të arsyetuar”, thuhet në sqarimin në portal.

Portalin “Qasje të lirë” e shfrytëzon Alavateli, e cila është e zhvilluar nga mySociety, e cila është e regjistruar si organizatë bamirëse. Në vitin 2021, portali është zhvilluar më tej dhe është adaptuar për nevojat e Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë Deri tek Informatat me Karakter Publik në kuadër të IPA2 Projektit “Transparencë dhe llogaridhënie të administratës publike”. Shfrytëzimi dhe përdorimi i këtij portali e ka marrë si pjesë të angazhimit “Avancimi i qasjes elektronike deri tek informatat me karakter publik” nga Plani Kombëtar Aksional për partneritet të hapur qeveritar 2018-2020.

Portali është në gjuhën maqedonase dhe angleze, por jo edhe në gjuhën shqipe.

Aktivitetet janë pjesë e projektit “Transparenca dhe Llogaridhënia e Institucioneve Shtetërore në RMV“, i cili zbatohet nga Fondacioni Metamorfozis me mbështetje financiare nga Fondacioni Shoqëri e Hapur-Maqedoni.