PRAGA E VOGËL

Pas udhëtimit disaorësh nga Vjena arrijmë në Olomouc, një qytet në Çeki me rreth 110 mijë banorë, ku deri në shekullin XIX numri i gjermanëve etnikë ishte tre herë më i lartë se i çekëve. Hoteli i vogël “Lafayette”, i ndërtuar në vitin 1900, nuk ka shumë yje. Dhomat me orendi klasike dhe pa luks të tepruar nuk kanë numra, por emra: “Anastazie”, “Antoineta”, “Victoria”, “Luisa”, “Frantishek”, “Amadeus”, “Justus”, “Radecky”, “Viola”, “Pavlina”, “Virginie”… Ta kalosh natën aty është sikur ta “prekësh” një shekull tjetër. Një ndjenjë që s’e përjeton në hotele luksoze…

Në orën 22 sheh pak njerëz nëpër rrugë. Dyqanet në këtë zonë janë të mbyllura. Kudo mbretëron një heshtje monumentale. Vendi duket si i shpopulluar. “Praga e vogël”, siç quhet ky qytet, gjallërohet në ag. Olomouci krahasohet me Pragën, zemrën e Europës kulturore, por është më i mbrojtur nga zhurma, rrëmuja dhe ankthi metropolitan…

Nëse s’do të dinim asgjë për këtë qytet dhe do të bazoheshim vetëm te numri i banorëve, atëherë mund të krijonim përshtypjen e gabuar se ky është një qytet provincial, që mungesën e jetës së bujshme kulturore e kompenson me thashetheme province.

Olomouci ka më pak banorë se Shkupi, por është qytet i vërtetë, falë mendjeve tejpamëse dhe sqimatare. Ka shumëçka që për ne është utopi. Ka rend dhe pastërti. Tramvajet i japin qytetit imazhin e metropolit. Këtu omnibusët qarkulluan nga viti 1845.

Nëse i pyet banorët për ndonjë adresë, ata ta ofrojnë hartën e qytetit. Hartat, që sot janë zëvendësuar nga pajisjet GPS, janë ende funksionale në Olomouc. Në hartë janë shënuar rrugët, lagjet, institucionet, muzetë, bibliotekat, fakultetet, qendrat sportive. Ka edhe shumëçka tjetër që nuk shihet në harta. Është historia e qytetit që shfaqet edhe nëpërmjet katedraleve, kështjellave, shatërvanëve, rrugëve me kalldrëm dhe ndërtimeve tradicionale. Historinë tjetër, edhe më të padukshme, duhet ta kërkosh në librat e historisë së luftërave dhe të kulturës së këtij qyteti…

Udhëpërshkruesit sot shkruajnë më shumë për restorantet dhe ushqimet e mira. Një ves i qytetërimit tonë modern, që më shumë i intereson utilitarja sesa e bukura. Gjërat utilitare i gjen kudo. Në Oloumouc ka diçka që s’e gjen askund tjetër. Le ta lëmë mënjanë birrën. Adhurimi i çekëve për birrën është i nënkuptuar. Edhe djathin specifik. Le të shohim përtej të dukshmes…

Olomouci ka histori të bujshme dhe arkitekturë të veçantë. Stemën e qytetit e zbukuron shqiponja me një kurorë mbretërore mbi kokë. Sipas një teorie, qyteti u ndërtua nga Jul Cezari, por studiuesit kanë hamendësime.

I vendosur në një rajon strategjik, qyteti shpesh ishte shënjestër e sulmeve armike. Njihet për rezistencën e pathyeshme kundrejt sulmeve mongole, por edhe për trazimet antisemite.

Olomouci ka qenë qendër e rëndësishme kishtare. Aty ka shumë katedrale, kështjella, kapela dhe varreza të lashta. Kështjella më e veçantë është ajo e shekullit XII. Në sheshin mahnitës është Shtylla e Trinisë së Shenjtë, nën mbrojtjen e UNESCO-s, që u ndërtua nga artistët vendës në shekullin XVIII, pasi qyteti i mbijetoi një epidemie të murtajës. Quhet edhe “shtylla e murtajës”. Është unike katedralja gotike, por edhe ora astronomike. Kjo orë u ndërtua në shekullin XIX, u dëmtua gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u transformua në periudhën komuniste, kur shenjtorët fetarë u zëvendësuan me “shenjtorët” komunistë. Olomouci njihet edhe si qytet shatërvanësh me emra mbresëlënës: shatërvani i Neptunit, Jupiterit, Merkurit, Herkulit, Tritonit, Cezarit, Delfit…

Qytetet tona në të kaluarën ishin të njohura për çezmat dhe shatërvanët, por një dorë mizore dhe e papërgjegjshme i shkatërroi ato. Sot në themelet e ndërtimeve të reja është varrosur e kaluara…

Olomouci e ka teatrin publik, disa teatro alternative, ka filarmoni, disa muze, galeri, ka bibliotekën e qytetit, atë universitare dhe shkencore. Vlerësohet shumë edhe Moxarti. Ka shumë kafene me emrin e tij. Në Vjenë shumëçka lidhet me gjeniun e muzikës. Po ç’lyp Moxarti në Olomouc?

Ishte viti 1767 kur familja e Moxartit, për t’i shpëtuar epidemisë së lisë në Vjenë, u vendos në një banesë në rrugën “Lafayette”, në Olomouc. Moxarti as këtu s’i shpëtoi sëmundjes së lisë. Derisa shërohej me ilaçet dhe shurupet e ndryshme, gjeniu 11 vjeçar po këtu e përfundoi Simfoninë numër 6. Fakti se kompozitori qëndroi në këtë qytet, sot josh shumë turistë. Është ndjenjë e veçantë të ecësh rrugës ku eci gjeniu i muzikës, i cili besonte se “nëpërmjet muzikës mund të shkojmë të qetë nëpër natën e errët të vdekjes”…

Olomouci është edhe qytet i studentëve. Jeta aty diktohet prej tyre. Qyteti e ka universitetin publik Palacky, një universitet privat dhe disa shkolla të larta. Më i njohuri është universiteti publik, me 25 mijë studentë, i themeluar nga jezuitët në vitin 1573. Në fillim aty studiohej vetëm teologjia dhe më pas edhe filozofia, drejtësia dhe mjekësia. Ky është universiteti më i vjetër në Moravi dhe i dyti në Çeki. Në vitin 1850 disa fakultete u mbyllën nga regjimi i Habsburgëve, sepse profesorët dhe studentët e mbështetën Rilindjen Kombëtare Çeke. Universiteti sot e mban emrin e Franticek Palacky-t (1798 – 1876), një mendimtar dhe politikan çek, i vlerësuar si një prej “etërve të kombit”…

Olomouci ka edhe shumë vende për rekreacion. Ka parkun zoologjik dhe atë botanik. Ka qendra sportive, alpinizmi, atletike, hokeji, ragbi, pishina. Skuadra e futbollit Sigma Olomouc garon në Ligën e Parë Çeke, në një stadium me mbi 12 mijë vende, ku luan ndeshje edhe kombëtarja çeke. Ekipi i hokejit HC Olomouc garon në ligën elitare. Ka edhe një ekip modest ragbi. Olomouci ka gjithçka që është normale për një qytet…

Poeti amerikan Langston Hughes, shkroi: “Qyteti është labirint rrugësh, ku secila të çon drejt një aventure të re”. Në Olomouc çdo rrugë e ka një histori mbresëlënëse, që banorët e rrëfejnë me krenari.

Kur qyteti i humb lidhjet me të kaluarën më nuk është qytet, por vetëm një vendbanim. Olomouci është qytet me histori mbresëlënëse dhe ku nuk e ndjen ankthin urban. Aty e kupton më mirë se në vendin tënd nuk ka qytete, por vetëm vendbanime të ankthshme ku nuk organizohet kaosi…

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.